Kryeministri: Kulla të reja do të ndërtohen në qendër dhe nëpër Tiranë
Nga Lindita Kokoli-
Në emisionin e Blendi Fevziut, kryeministri Rama u pyet edhe për ndërtimet e kullave të larta në Tiranë.
Me sa duket ideja e Ramës shkon kah një “mini Mannahaten” amerikan në mes të kryeqytetit.
Kullat në qendër mbeten një temë debati në Tiranë, por në një farë mënyre ato, pra kullat, ia kanë shtuar vlerën dhe interesin kryeqytetit përballë turistëve të huaj.
“Kulla janë pak akoma në Tiranë” – thotë kryeministri Edi Rama. “Kulla nuk janë ato me 10 apo 15 kate. Kulla janë ato mbi 20 kate. Janë dhënë sot edhe 3 të reja. Është dhënë një midis atyre të dyjave në qendër, njëra te bulevardi i ri dhe tjetra tek “21 dhjetori”. Janë të larta këto të fundit. Është fat që kemi arkitektët më të njohur që vijnë në vendin tonë.
Së pari, këto kulla i kanë dhënë një energji tjetër qytetit. Tirana sot është një qytet ku ndërtojnë arkitektët më të mirë të botës dhe Tirana nesër do të ketë destinacion turistik edhe për arkitekturën e saj. Do vijnë njerëzit të shohin kullat. Ka një pjesë të turizmit që është për arkitekturën dhe këtu janë disa nga arkitektët më të mëdhenj të botës që ndërtojnë dhe projektojnë.
Shqiptarët dalin e shohin. Shikoni se çfarë ka bërë Tel Avivi që është një qytet që pak a shumë për shkak të së kaluarës ka një teksturë të ngjashme me atë të Tiranës me godinat e ndërtuara këtu në vitet 90-2000. Shikoni çfarë po ndodh në Tel Aviv me të gjitha zhvillimet e reja që po bëhen, kullat e larta, etj. Tirana e ka këtë potencial për t’’u zhvilluar lartë në pjesën rreth e rrotull qendrës. Nuk kemi shembur asnjë objekt të trashëgimisë kulturore. Asnjë. Trashëgimia e vërtetë kulturore nuk shembet, nuk preket. Ne që nxisim mbrojtjen e kullave nxisim edhe mbrojtjen e trashëgimisë. Kemi shpëtuar Shtëpinë e Toptanëve. Teatri nuk ishte trashëgimi. E kam thënë 1 mijë herë. Rritja e intensitetit të ndërtimeve në pjesën qëndrore është e mirë sepse sjell ekonomi, sjell zhvillim.
Këto kulla i blejnë shqiptarët, këto kulla i blejnë edhe të huajt. Tek ajo kulla aty është ambasada e Izraelit që ka marrë disa kate, aty tek ajo kulla tjetër ka shqiptarë dhe të huaj. Çmimet janë të larta? Shqiptarët janë këtu, janë dhe jashtë, kanë sakrifikuar për shumë vite dhe përderisa i blejnë, edhe munden” – tha Rama.
I pyetur për kritikat se me çfarë të drejtë i jep ai qytetit formën që dëshiron, Rama nuk u kursye edhe për mediat dhe gazetarët.
Sado që debati vazhdon nëse mirë apo keq këto kulla si dhe të tjera që janë në kokën e kryeministrit, ato po bëhen fakt dhe normalitet europian.
Në fund të fundit turistët i pëlqejnë. Tiranasit janë ndarë në grupime kundërshtare, por ajo që mbetet nuk ndryshohet më. Kullat ngrihen duke rritur vlerën e qytetit numër një në vend.
Të gjithë flasin, porse Edi Rama e ka ndarë mendjen: do ti ngrejë kullat dhe ato do të bëhen! Nuk ka asnjë diskutim se Edi Rama mendon gjithë ditën se si të mbetet në histori dhe të thuhet me vonë “këto u bënë në kohën e Edi Ramës”.
Kaq do ai!