Kryeministri Kurti: Terroristët u mbështetën financiarisht dhe ushtarakisht nga Beogradi
-Nga radio “Europa e Lirë”-
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se informatat e autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore – të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në qershor të këtij viti.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.
Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës.
“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti teksa ka marrë pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit.