Kryeministri Rama inauguron pikën e re doganore në Malësi të Madhe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inauguruar pikën doganore në Grabom të Malësisë së Madhe që lidh vendin tonë me Malin e Zi.
Në këtë ceremoni Rama tha se kjo është e dyta pikë doganore që bashkon Shqipërinë me Malin e Zi.
Gjithashtu Rama ka ftuar Malin e Zi që pa humbur kohë të përfshihet në iniciativën ‘’Ballkani i Hapur’’.
“Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndihen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka 2 pika bashkimi mes 2 vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe ne këtë synojmë këtu. Që të realizojmë 4 liritë e BE-së, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve.
Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë. Dua ta falenderoj palën malazeze për realizimin e këtij investimi sepse prej sa kohësh e kishim kryer investimin dhe tani kjo është pika doganore e dytë që na bashkon dhe nuk duhet të na ndajë. Uroj shumë që me kryeministrin Krivokapiç, Abazoviç, ne të përparojmë dhe Mali i Zi të përfshihet në iniciativën e Ballkanit të Hapur“,- tha Rama.