Ku po shkon Bashkimi Europian?
Ideatori i krijimit të Bashkimit Europian, francezi Robert Schuman dhe ai që i çoi më tek idetë e tij Jean Mounnet, theksonte se: “Europa nuk mund të bëhet me një të goditur, as edhe me një ngrehinë të vetme, ajo do të bëhet me anë të realizimesh konkrete duke krijuar më së pari një solidaritet real.”
Nga Sadedin Çeliku
Është fakt i pamohueshëm se Bashkimi Europian dhe strukturat e saj i janë shmangur qëllimit përse u krijua. Europa po përjeton një krizë të thellë të paparë prej dekadash. Bashkimi Europian ka nevojë për struktura të forta e të konsoliduara në mënyrë që të përballojë me sukses sfidat e kohës. Kriza është shumëplanëshe siç janë vërejtur kriza ekonomike, kriza financiare, kriza e refugjatëve,kriza e moralit, kriza e besimit,krizë institucionale, krizat politike, kriza e solidaritetit etj.
Ditën e enjte date 24 nëntor zoti Martin Schultz lë presidencën e Parlamentit Europian për të mos kandiduar më për postin e Presidentit. Arsyeja nuk është bërë me dije por gjithçka është bërë fakt dhe tashmë po punohet për zëvendësimin e tij kur dihet se mandati përfundon më datë 17 janar 2017. Sipas burimeve që citon gazeta Le Monde, mendohet ta zëvendësojnë francezi Alain Lamassoure ose gjermani Manfred Ëeber.
Ideatori i krijimit të Bashkimit Europian, francezi Robert Schuman dhe ai që i çoi më tek idetë e tij Jean Mounnet, theksonte se: “Europa nuk mund të bëhet me një të goditur, as edhe me një ngrehinë të vetme, ajo do të bëhet me anë të realizimesh konkrete duke krijuar më së pari një solidaritet real.”
Europa vazhdon të mbetet një ëndërr për të gjithë por ka mjaft vështirësi të bëhet realitet. Unionit sot i mungojnë shumë gjëra. I mungon solidariteti dhe brenda saj duket qartë përçarja, mosmarrëveshjet madje për probleme kyçe që shqetësojnë sot vendet europiane, i mungon vullneti për të zgjidhur plagët e shumta sociale madje nuk gaboj të them se politikat sociale janë zëvendësuar me politika të ashpra,i mungon vullneti për t’u rritur si organizatë sepse kërkon standarde rigoroze për anëtarësimet e reja ndërkohë që për mjaft shtete një gjë e tillë nuk është kërkuar.
Pakënaqësitë brenda radhëve të Bashkimit Europian janë të dukshme. Dalja e Britanisë së Madhe nga unioni ishte rezultat pakënaqësie krahas problemeve të tjera. Ka dhe vende të tjera si Italia apo Austria që mendojnë të organizojnë referendum popullor për qëndrimin apo daljen nga organizata europiane.
Fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurisht që do të reflektojë ndryshime në marrëdhëniet me Bashkimin Europian së paku nga deklarimet e deritanishme. Brukseli po punon që t’i kundërpërgjigjet politikave të reja amerikane. Kështu këto ditë u deklarua se në Bruksel mendohet të imponojnë standardet e saj për bankat amerikane, por masa do të ketë dhe me politikat fiskale.
Mesa duket ka ardhur koha që të reformohet organizata, të forcohen e konsolidohen institucionet e saj. Vendosja e vetos të anëtarëve të BE-së ka krijuar mjaft probleme serioze. Kështu probleme të pazgjidhura ka Bosnja & Herzegovina, Qipro, Kosova, Maqedonia për emrin,Siria por dhe në mjaft vende të tjera.
Rumania, Greqia, Spanja, Qipro, Sllovakia, e ndonjë tjetër ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri të Europës Kosovën. Strukturat e Bashkimit Europian përballë kësaj situate nuk kanë forcë ekzekutuese në këtë rast sepse politikat e saj janë mjaft liberale.
Vendosja e kushteve për anëtarësimet e reja, kërkesat për standarde më të larta ndaj vendeve aspirante, kur vetë anëtarët nuk i plotësojnë standardet, nuk i bëjnë mirë vetë organizatës. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, rritja dhe dinamizimi i refugjatëve drejt perëndimit, përshkallëzimi i dhunës dhe terrorit, lufta kundër varfërisë, papunësisë etj nuk përballohet i vetëm. Organizata dhe zgjerimi duhet të ndodhi shpejt dhe plagët duhen kuruar nga e gjithë kontinenti, ndryshe shkallëzimet dhe përshkallëzimet, krizat që burojnë nga problemet shumëfaktorësh do të vazhdojnë të ndodhin.

