Kuba varros Fidel Castron dhe hap një kapitull të ri në histori
Kuba varrosi sot Fidel Castron në Santiago de Cuba, djepi i revolucionit kastrist në lindje të vendit, gjatë një ceremonie familjare që do të mbyllë nëntë ditët e zisë kombëtare dhe do të kthejë faqen e më shumë se një gjysmë shekulli histori së ishullit.
Funerali filloi rreth orës lokale 7:00 (12:00 GMT) pak pas mbërritjes në varrezën Santa Ifigenia të kortezhit mortor që mbante hirin e “Komandantit”, që qeverisi pa ndërprerje ishullin përgjatë një gjysmë shekulli.
Në hyrje të varrezës, një turmë prej disa mijëra personash thërrisnin “Rroftë Fideli” gjatë kalimit të arkivolit të mbuluar me flamurin kuban, i vendosur në rimorkion e një xhipi ushtarak.
Dje në mbrëmje, Raul Castro u betua para hirit të vëllait të tij se do të mbronte atdheun dhe socializmin, gjatë një ceremonie të mbajtur në sheshin ”Revolutioni Antonio Maceo de Santiago”.
“Fideli ka treguar se kjo është e mundur, se mund të kalojmë çdo pengesë, kërcënim me vendosmërinë për të ndërtuar socializmin në Kubë”, theksoi ai.
Ai deklaroi gjithashtu se Kuba nuk do të lejojë që emri i Fidelit t’iu vendoset rrugëve apo monumenteve, pasi kështu kishte kërkuar vet kreu historik.
“Udhëheqësi i revolucionit kundërshtoi fuqishëm çdo manifestim të kultit të personalitet”, deklaroi Raul, i cili shtoi gjithashtu se në Kubë nuk do të ngrihet asnjë statujë apo bust i Fidel Castros.
Dhjetëra mijëra kubanë morën pjesë në ceremoni si dhe udhëheqës të tjerë botërorë.
Raul Castro u zotua se do të nderojë parimet socialiste dhe qëllimet e revolucionit që solli vëllai i tij, Fidel, i cili vdiq më 25 nëntor në moshën 90-vjeçare.

KOHA JONË SONDAZH

