Kundër ndërtimit të incineratorit në Elbasan: Një metalurgjik i dytë!
Qytetarët e njësisë administrative Papër në Elbasan kanë nisur protestat kundër ndërtimit të incineratorit të djegies së mbeturinave që do të ndërtohet në këtë zonë.Ata janë mbështetuar nga ambientalistë, shoqëria civile si dhe përfaqësues të opozitës.
Qindra qytetarë, ambientalistë, por edhe përfaqësues të opozitës me pankarta në duar kanë protestuar sot para bashkisë së Elbasanit, për ti thënë JO incineratorit të djegies së mbeturinave i cili do të ndërtohet në Balldren të njësisë administrative Paper.
Ambientalisti, Sazan Guri, u shpreh se ky projekt do të jetë një metalurgji e dytë për qytetarët e Elbasanit.
Sazan Guri: Të gjithë sëbashku e nisëm, bëhuni burra me veten tuaj, secili të betohet në vetëvete, ta bitisim. Bashkë më bitisjen ne mund të fitojmë dhe shumë kauza të tjera dhe shumë çështje të tjera.
Pjesë e kësaj proteste ishte edhe nënkryetari i PD-së Edmond Spaho i cili u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë protestat.
Spaho: U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos rrinë indiferentë, të dalin. Këtu nuk ka të bëjë me çështje partiake dhe me ngjyra, këtu ka të bëjë me shëndetin e njerëzve, këtu digjen si të majtë edhe të djathtë.
Në formë simbolike para përfundimit të protestës qytetarët i vendosën pankartat përpara derës së bashkisë në Elbasan.-oranews

