Kundërpërgjigjet kompania “Terraoil Swiss”: Një media serioze si BIRN nuk duhet të mashtrojë!

Përgënjeshtrim i shkrimit të BIRN-Albania (Reporter.al)
Më datën 7 shkurt 2020, agjencia BIRN-Albania (Reporter.al) nëpërmjet një shkrimi me titull:
“Marrëveshja e dyshimtë: Nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus”
(Autor: Besar Likmeta) ka konsumuar një operacion mashtrimi, spekulimi dhe manipulimi të
opinionit publik, duke shtrembëruar dhe keqinterpretuar faktet, duke bërë interpretime të rreme
ligjore, duke dëmtuar në mënyrë agresive dhe intimiduese interesat dhe imazhin e kompanisë
“Terraoil Swiss”.
Është elementare të theksojmë se në profesionin e cdo gazetari, për më tepër të dikujt me
përvojë dhe reporter i një media prestigjoze si BIRN, ky publikim është një thyerje e rëndë e
parimeve të etikës profesionale dhe shkelje e rëndë e çdo norme që rregullon marrëdhëniet e
gazetarisë bashkëkohore, përfshi atë investigative dhe që provon katërcipërisht që artikulli në
fjalë është mbështetur mbi të pavërteta, paragjykime, keqdashje, dizinformim për të mos
shkuar më larg me arsyetimin e kryerjes së ndonjë shërbimi ndaj një pale të tretë.

Për të qenë sa më të kuptueshëm dhe të qartë përsa më lart, po rendisim në mënyrë
elementare piketat kryesore të këtij “investigimi” dhe shkrimit të Reporter.al:
BIRN, pretendim 1: Në këtë shkrim BIRN pretendon se kompania “Terraoil Swiss” ka
transferuar naftën e Visokës dhe të drejtat hidrokarbure në një kompani serbe me pronar rus.
Sqarim 1: Në legjislacionin që rregullon marrëveshjet hidrokarbure por edhe ato tregtare nuk
ekziston koncepti ”transferim nafte”, por tregtim nafte dhe/ose transferim i të drejtave
hidrokarbure.
Pretendimi se kompania “Terraoil Swiss” ka transferuar të drejtat hidrokarbure, është një e
pavërtetë e rëndë e joprofesionale dhe mashtrim i qëllimtë, sepse të drejtat hidrokarbure
transferohen vetëm me pëlqimin e palëve, respektivisht të Terraoil Swiss, Albpetrolit dhe
AKBN-së, si dhe me miratimin përfundimtar të MIE si autoriteti shtetëror më i lartë. Ky fakt nuk
ka ndodhur dhe për rrjedhojë nuk ekziston.
Kontrata ndërmjet “Terraoil Swiss” dhe GTK-Oil është kontratë shërbimi, e njëjtë me të gjitha
kontratat e shërbimit mbi bazën e të cilave operojnë kompanitë hidrokarbure në Shqipëri dhe
kudo në botë, ç’ka do të thotë se është nënkontraktim, marrëdhënie mes dy palëve private e
realizuar konform ligjit shqiptar dhe të gjitha detyrimeve që lindin prej tij.
BIRN, pretendim 2: Kontrata e shërbimit (Terraoil Swiss me GTK Oil) cënoi sigurinë
kombëtare duke transferuar të dhënat konfidenciale.
Sqarim 2: Shkrimi i Reporter.al ka spekuluar me një nen të kontratës koncensionare, duke
konfonduar detyrimet mes palëve (koncensionar-shtet) me ekspozimin e të dhënave tregtare
konfidenciale dhe duke e keqinterpretuar qëllimisht këtë konfidencialitet si “sekret shtetëror”.
Në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure, koncensionari ka plotësisht të drejtë të ekspozojë të
dhëna tregtare konfidenciale tek nënkontraktorët e vet, pa kërkuar miratimin e Albpetrol apo
ndonjë institucioni tjetër. (Neni 23.2 i Marrëveshjes Hidrokarbure)
Për pasojë BIRN (Reporter.al) ka mashtruar qëllimisht duke shtrembëruar e keqinterpretuar
termat e kontratave e duke spekuluar dhe ngatërruar qëllimisht publikun dhe duke dëmtuar
rëndë imazhin, besueshmërinë dhe interesat e kompanisë Terraoil Swiss.
BIRN, pretendim 3: BIRN pretendon se “Terraoil Swiss” i ka dhënë kompanisë nënkontraktore
“serbe” të dhëna tregtare që përbëjnë “sekret shtetëror”.
Sqarim 3: Ky pretendim nuk është vetëm mashtrim, por edhe reflektim i një paditurie të thellë.
Së pari, kompania GTK-Oil, është e regjistruar në QKB sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk
figuron e pezulluar, e përjashtuar apo e konfiskuar, në asnjë institucion ligjzbatues shqiptar
apo të huaj .
Së dyti, nuk është detyra e kompanive koncensionare të verifikojnë nënkontraktorët që
operojnë në tregun shqiptar sipas ligjeve në fuqi, në lidhje me aspekte që janë tagër i
institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë, përsa kohë ndaj tyre nuk ka një masë shtrënguese.
Në të kaluarën dhe në vijëmësi kompania “Terraoil Swiss”, ka kultivuar marrrëdhënie tepër
rigoroze me institucionet ligjzbatuese shqiptare, përfshirë dhe komunitetin e inteligjencës, për
të shmangur çdo shkelje në këtë drejtim.
Së treti, legjislacioni për sekretin shtetëror, klasifikimin e tij dhe personave të autorizuar për
njohjen apo përdorimin e tij, nuk ka asnjë parashikim që t’i përgjigjet pretendimit në fjalë. Në
të kundërt, nëse ky fakt do të ekzistonte, marrëveshjet hidrokarbure dhe cdo aspekt tjetër i
lidhur me to do të duhej të trajtohej sipas këtij legjislacioni. Kjo do të thotë se të gjithë personat
që do të kishin lidhje pune për shkak të përgjegjësive institucionale, apo ato tregtare do të
duhej të ishin të vetuar nga DSIK dhe të paisur me certifikatat përkatrëse të sigurisë, fakt i cili
nuk ekziston. Sipas kesaj llogjike, të përdorur nga artikullshkruesi, ky i fundit nuk do të kishte
mundësinë të kërkonte asnjë informacion mbi marrëveshjet dhe operacionet hidrokarbure pa
qenë i paisur më parë me një certifikatë sigurie. Kjo llogjike do të vlente dhe për këdo zyrtar të
ALBPETROL apo AKBN, sikurse edhe për ish drejtuesit e përmendur në shkrim, të cilët sipas
llogjikës së gazetarit do të kishin konsumuar një krim shtetëror për nxjerrjen e dokumentave
apo të dhënave të klasifikuara sekret shtetëror.
Sa më sipër, pretendimi i shkrimit të BIRN për nxjerrje të sekretit shtetëror, është një shpifje e
qëllimshme e kombinuar me një injorancë të thellë në kuptimin e detyrimeve për aspektet e
sigurisë, sepse sipas ligjeve në fuqi, të dhënat tregtare konfidenciale nuk konsiderohen sekret
shtetëror.
BIRN, pretendim 4: Shkrimi i BIRN pretendon se kompania shtetërore “Albpetrol” ngriti
“flamuj të kuq”, që sipas BIRN ishin alarm për tjetërsimin e marrëveshjes hidrokarbure.
Ky pretendim është spekulim arbitrar,sepse në asnjë paragraf apo rresht të legjislacionit
shqiptar përfshirë marrëveshjet hidrokarbure, nuk ekziston asnjë term dhe asnjë nocion i
“flamujve të kuq”.
Ka ekzistuar një letërkëmbim i periudhës shkurt-mars 2019, ndërmjet kompanisë tonë dhe
Albpetrolit, ku në fillim Albpetroli ngriti pretendime në lidhje me marrëveshjen mes Terraoil
Swiss dhe GTK-Oil. Pas kësaj kompania “Terraoil Swiss” i dha sqarimet përkatëse Albpetrolit,
duke i qëndruar marrëveshjes dhe për pasojë Albpetroli nuk kundërshtoi më tej sqarimet tona.
Për transparencë të opinionit publik sqarojmë se Marrëveshja mes Terraoil Swiss dhe GTK
OIL është lidhur më 1.12.2018 dhe për shkak të mospërmbushjes së saj nga pala
nënkontrakotore, është zgjidhur më datë 1.06.2019. Theksojmë se kjo Marrëveshje
fatkeqësisht nuk arriti te bëhet asnjehere efektive pasi nënkontraktori GTK Oil nuk mundi gjatë
periudhës dy-mujore te testit të na bindte për një performancë të qëndrueshme teknike dhe
për pasojë efektet ekonomiko-financiare të kësaj Marrëveshje mbetën në nivelin zero. Kjo do
të thotë se në momentin e botimit të shkrimit dhe tymnajës së ngritur prej tij marrëveshja nuk
ekziston, çka i bën shumë të dyshimta qëllimet e vërteta të artikullit të botuar nga BIRN.
Për pasojë, referimi nga BIRN duke nxjerrë jashtë konteksti shkresën e Albpetrolit, duke mos
marrë fare parasysh procedurën nga fillimi deri në fund, është deformim i qëllimshëm i fakteve,
dhe manipulim i opinionit publik.
Së fundmi por jo nga rëndësia, Terraoil Swiss operon prej 9 vitesh në sektorin e hidrokarbureve
për nxjerrjen e naftës bruto në fushën e Visokës. Gjatë kësaj periudhe kompania ka investuar
mbi 80 milion dollarë në operacionet e saj për hapjen e puseve të reja, rivitalizimin e atyre
ekzistuese, kthimin e fushës në parametra optimal operimi, depozita naftëmbajtëse, ruajtjen e
mjedisit, etj. Terraoil Swiss ka mbi 150 të punësuar, inxhinierë dhe specialistë të fushës, si dhe
ndihmon në mënyrë indirekte mbi 200 familje të tjera në zonën ku operon.
Terraoil Swiss është një kompani publike e regjistruar në Zvicër, operon sipas ligjeve dhe
standarteve më të mira zvicerane dhe së fundmi ka filluar procedurat e regjistrimit në Bursën
ndërkombëtare, të cilat kërkojnë standarte të larta transparence, profesionalizmi dhe
mirëmenaxhimi.
Teraoil Swiss ka marrë pjesë në garën e organizuar nga ALBPETROL për operimin e fushave
naftëmbajtëse të Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonice dhe është shpallur fituese nga
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo procedurë ndodhet në proces gjykimi në gjykatat
shqiptare për shkak të kontestimit nga palë të treta humbëse në garë.
Kompania Terraoil Swiss e konsideron shkrimin e BIRN-Albania (Reporter.al) si një operacion
të bazuar mbi mashtrim dhe spekulim, me qëllim dëmtimin e imazhit dhe prestigjit të
kompanisë, si dhe një përpjekje diversive për të ndikuar mbi vendimin e gjykatave përsa më
lart.
Operacioni në fjalë mbart ngarkesa intimiduese dhe dëmtuese ndaj kompanisë Terraoil Swiss,
dhe për këtë shkak ne po bashkëpunojme me konsulentët tanë ligjorë dhe po marrim masa
për ndjekjen ligjore të kësaj çështje si për filialin e BIRN në Tiranë ashtu dhe ndaj zyrës
qëndrore të kësaj agjencie në Beograd.
Në mbështetje të parimeve të transparencës dhe të drejtës për t’u mbrojur dhe përgjigjur ndaj
akuzave të publikuara nga media juaj, kërkojmë përgënjeshtrimin e shkrimit dhe të drejtën tonë
për t’u botuar nga ana juaj në të njëjtin vend reagimi i kompanisë Terraoil Swiss.
Hans-Peter Vogt
Kryetar i Bordit

 

Shënim i redaksisë së KJ: Mëqënëse redaksia www.kohajone.com e ka botuar në shkrim kryesor shkrimin “Marrëveshja e dyshimtë: Nafta e Visokës iu transferua kompanisë serbe me pronar rus” marrë nga BIRN, sipas rregullit, duhet që edhe përgjigja e të akuzuarit të jetë në të njëjtin vend.

Por gazeta mbetet e hapur nëse gazetari Besar Likmeta ka kundërpërgjigje për sqarimin e  zotit Hans-Peter Vogt.

 

SHKARKO APP