Kuvend, nesër në orën 10 vendoset për Tahirin. Ja çfarë thotë rregullorja
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka miratuar rendin e ditës për seancën plenare të ditës së mërkurë, ku çështja e parë është votimi i raporteve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve për Saimir Tahirin.
Në Kuvend do të votohen dy raporte: Një i opozitës kur kërkohet arrestimi dhe një i mazhorancës ku kërkohet kontrolli i banesës, sekuestro pasurie, kontroll personal dhe mos-dalje jashtë vendit.
Neni 118 i Rregullores së Kuvendit, ku thuhet qartë se raportet nuk janë objekt diskutimi në Parlament. I vetmi që ka të drejtën të flasë do të jetë Saimir Tahiri, e më pas të dyja raportet hidhen në votim të fshehtë.
“Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit”, thuhet në pikën 4 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit.


