Kuvendi në seancë plenare, mungon Rama
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, e para pas votimeve njëpartiake të 30 qershorit, ku në rend dite mes të tjerash ka parashikuar shqyrtimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11195, datë 31.05.2019, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 26/2019, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat” dhe projektvendimin për lirimin nga detyra të anëtarit të AMA-s, Zylyftar Bregu.
Kujtojmë që Komisioni parlamentar i Ligjeve rrëzoi me 14 vota pro dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili ktheu në Kuvend për rishqyrtim ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat. Relatorja Vasilika Hysi u shpreh se në bazë të Kushtetutës, Presidenti ka të drejtë vetëm një herë të kthej për rishqyrtim ligjet. Sipas saj, kërkesa e Presidentit për rishqyrtim të ligjit bie poshtë në momentin që votohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit.
Në këtë seancë mungon kryeministri Edi Rama, pasi është pjesë e konferencës së liderëve të Ballkanit. Në kuadër të procesit të Berlinit sot dhe nesër do të zhvillohet në Poznan Konferenca e Ballkanit Perëndimor. Ky takimi do t’i shërbejë komisionit të ri të BE-së si ndihmë orientuese për politikat ndaj Ballkanit.

