Lamtumira për ikonën e muzikës Shqiptare, Anita Take

I jepet lamtumira artistes së skenës shqiptare, Anita Take, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme, në moshën 83-vjeçare për shkaqe natyrore. Pas homazheve në hollin e radio Tiranës, trupi i pajetë i Takes, është përcjellë për në varrezat e Sharrës.

Rrugëtimi i Anita Takes në fushën e këngës, ka nisur qysh në moshë të re. Falë vokalit të saj të veçantë Take u emërua këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit në moshën 17-vjeçare. Në këtë institucion zhvilloi për plot 20 vjet aktivitetin më të rëndësishëm të karrierës së saj.

Edhe pas daljes në pension më 1972, artistja e vazhdoi aktivitetin e saj, duke qëndruar në skenën e Estradës së Tiranës dhe në skenat e rretheve, si recitaliste. Një nga kulmet e karrierës së Takes ka qenë dhënia e të parit recital në historinë e skenave shqiptare, në vitin 1983, gjatë të cilit këngëtarja 50-vjeçare interpretoi plot 25 këngë. Recital që u prit me sukses dhe vijoi deri në vitin 1989 në mbarë vendin. Në vitin 1991 Anida Take u vendos në Austri, por as atje nuk e ndaloi aktivitetin e saj artistik.

Këngët

Anita Take u shqua si një artiste që këndoi “live” deri në fund të jetës së saj artistike, duke qenë e pranishme dhe e duartrokitur fort e me dashuri në shumë skena të rëndësishme të artit muzikor shqiptar. Disa nga këngët që ajo ka interpretuar janë: “Në mes gushës ke një pike”, “Shoqes sime”, “Ç’është dashuria”, “Për nënën këndoj”, “Më do apo s’më do”, “Unaza”, “Trandafil mos u zemëro”, “Një lule”, “Të shtrenjtës time”, “Shkonte vasha për në krua”, “Fustani i bardhë”, “Kujtimet e studentit”, “Të pajtohemi”, “Vajza me trandafil”, “Kanapeja”, “Mjekut” etj.

SHKARKO APP