Letër publike kreut të ri të SPAK, Z.Altin Dumani

Letër publike kreut të ri të SPAK, Z.Altin Dumani!
Nga Mentor Kikia-
I nderuar Z.Dumani!
Po ju drejtohem publikisht me këtë letër, pas zgjedhjes tuaj në krye të SPAK-ut.
Së pari, urime për zgjedhjen, zgjedhje që u shndërrua në një çështje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare.
Vëmendja e madhe që ajo mori, tregon se sa e rëndësishme është kjo. Por edhe sesa delikate është drejtësia jonë e re, për tu vetëqeverisur ashtu siç e parashikon ligji.
Megjithatë doja të sillja më vëmendje tjetër gjë…
Në fakt doja t’ju lutesha, ose më mirë ti bëja thirrje ndërgjegjes njerëzore dhe profesionale tuaj.
Ju e dini tashmë se sa shumë pritshmëri kishin dhe kanë shqiptarët nga SPAK. Edhe pse nuk është normale që fatet e një shteti dhe shoqërie të varen një nga grup prej 13 perosnash, kjo tashmë është e vërtetë. Fatet e këtij vendi varen nga SPAK.
Më shumë se në krizë ekonomike, ky popull është në krizë morale. Eshtë në krizë të fortë besimi. Shqiptarët nuk kanë besim tek askush. Ndaj ikin, ndaj duan të ikin edhe më shumë. Besoj e mësuan lajmin që Britania vendosi ti dërgojë në Ruanda ata që futen ilegalisht në këtë vend, si mjetin e fundit për ti frenuar.
Dhe është mungesa e drejtësisë ajo që ka kontribuar më shumë se çdo gjë tjetër në këtë gjendje. Sepse vit pas viti, e qeveri pas qeverie, korrupsioni u bë vrima e zezë e parave publike, u bë vrima e zezë konkurencës dhe garës së lirë, u bë vrima e zezë e shpresës që njerëzve.
Z. Prokuror!
E keni mësuar besoj, sesi një sipërmarrës i korruptuar, Klodian Zoto, i paguante me kartën e tij bankare udhëtimet dhe qëndrimet nëpër hotele një ministri, Arben Ahmetaj. Asnjë përpjekje për ta fshehur këtë gjë. Sepse ata nuk kishin frikë fare.
E keni mësuar besoj, se si një grua, Stela Gugallja, në gusht themeloi një shoqëri me 100 USD, dhe në shtator qeveria i dha 21 Milion Euro të ndërtojë një incinerator. Pa garë. Edhe në këtë rast ata nuk kanë frikë fare.
E keni parë besoj, se si doganierët në Portin e Durrësit merrnin rryshfet fare hapur, madje diskutonin në zyrën e tyre edhe sesa kishte marrë njeri e sa tjetri. Edhe këta nuk kanë frikë fare.
E dini besoj, sesi një sipërmarrës, mbajti varur një kontratë koncensionare për ndërtimin e një porti turstik, për 9 vjet, dhe qeveria ia anulloi sepse nuk e përmbushi. Disa muaj më vonë të njëjtin sipërmarrës e shpallën investitor strategjik, i dhuruan 170 hektartë tokë në të njëjtin bregdet. Pa asnjë frikë fare.
E dini besoj se si një kompani mashtroi mbarë e prapë qeverinë shqiptare dhe atë amerikane me falsifikime dosjesh për një tender, dhe si ndëshkim i dhanë një koncesion 300 milion Euro. Pa asnjë frikë fare…
E keni parë besoj, se si drejtorë e ministra përdorin makinat e institucionit si taksi për të çuar fëmijët nëpër shkolla dhe mamatë për të bërë pazare në markata e për të psonisur në dyqanet e rrobave. Asnjë lloj frike fare.
E dini besoj, sesi në zgjedhje, ata që kanë në dorë para e pushtet, shantazhojnë, ushtrojnë presion, blejnë vota. Hapur fare. “Kush nuk bindet ikën nga puna”. As këta nuk ka frikë fare.
E dini besoj, se ata që kanë vjedhur më herët kur kanë qenë në pushtet, në të njëjtën mënyrë, sot janë në sheshin e opozitës për të riardhur në pushtet. As këta nuk ka frikë nga asgjë.
Të gjithë ata që vjedhin, i nderuar Z.Prokuror, nuk kanë frikë sepse ata nuk ndëshkohen.
Z.Prokuror, shqiptarët kanë dështuar ta bëjnë drejtësinë me votë. Sepse pushteti dhe varfëria kanë prodhuar shantazh me bukën e gojes. Paraja e pistë ka prodhuar treg shit-blerjeje të mirë për votën dhe interesin. Për këtë arsye, ata janë dorëzuar, dhe preferojnë thjeshtë të heshtin ose të ikin.
Deri tani SPAK nuk ia ka dalë të prodhojë optimizëm se drejtësia mund të veprojë.
Unë e di që ju jeni thjeshtë një prokuror. Por ju, duke qenë në krye të SPAK, mund ti motivoni kolegët tuaj.
Më shumë se për prokurorë me mesatare të lartë në shkollë, kjo kohë ka nevojë për prokurorë jashtë ndikimit politik, të pa korruptuar dhe mbi të gjitha, trima e kurajozë. Sepse të përballesh me rrjetën e mermangës politiko-ekonomiko-kriminale, duhet shumë kurajë.
Unë do t’ju ftoja edhe njëherë, që ju të kuptonit rëndësinë që ka sot kjo qelizë e drejtësisë që ju do të drejtoni. Ajo nuk është thjeshtë një organ drejtësie, por është çengeli i vetëm ku shqiptarët mund të varin shpresës dhe të fillojnë të mendojnë se ky vend mund të bëhet.

SHKARKO APP