Lideri konservator shtang të gjithë, jep dorëheqjen nga politika

Lideri i konservatorëve në Austri, Sebastian Kurz, i ka shtangur të gjithë duke deklaruar se do të largohej përfundimisht nga politika dhe parlamenti, duke krijuar kështu një vakum pushteti në Austri.

Kurz, vetëm 35 vjeç, dha dorëheqjen nga posti i kancelarit në muajin tetor, pasi ndaj tij nisi një hetim për korrupsion. Ai ishte figura dominuese e Partisë Popullore të Austrisë, që prej futjes në politikë në vitin 2017, kur u bë kryetar i partisë dhe më pas kancelar, duke fituar zgjedhjet falë edhe koalicionit me ekstremistët e djathtë të Partisë së Lirisë. Në konferencë për mediat, ai tha se do të largohej fare nga politika.

Kurz i mohon pretendimet se ka përdorur paratë e qeverisë për të blerë media dhe sondazhe, për të siguruar opinion pozitiv për partinë e tij. Por kjo nuk ndali prokurorinë e krimit ekonomik dhe korrupsionit që të hetojë atë dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë për shkak të dyshimeve për abuzim.

Kurz ka pasur një karrierë meteorike në politikën austriake. Ai u bë ministër i Jashtëm kur ishte vetëm 27 vjeç dhe u ngjit në postin e kancelarit në moshën 31-vjeçare. Ai e humbi mandatin e parë si kancelar pasi u detyrua, po ashtu, të japë dorëheqjen në vitin 2019, kur u ngritën akuza për korrupsion ndaj partisë në koalicionin qeverisës FPÖ.

SHKARKO APP