Lihen të lirë pedagogët, zv/dekani garanci 10 mln lekë, pedagogu tjetër në spital
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë, atë të “arrestit shtëpiak” me mbikqyrje elektronike dhe garanci pasurore, për dy pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Simon Lufin dhe Rokin Daberdakun.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të hetimit që ende vijon në ngarkim të të akuzuarve.
Zv/dekani, Rokind Daberdaku, mësohet se i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij si dhe ka paraqitur garanci pasurore prej 10 milion lekëve të vjetra.
Ai ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë me qëllim zbardhjen e akuzave ndaj tij.
Nga ana tjetër, pedagogu Simon Lufi nuk u paraqit ne gjykatë për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë, pasi ndodhet i shtruar në repartin e Kardiologjise në spitalin e Shkodrës.
Ai u mbrojt nga avokati i tij, ndërsa pala mbrojtëse e dy pedagogëve e ka cilësuar si të pa ligjshëm arrestimin, pasi nuk ka baza se këta dy pedagogë të kenë lidhje me akuzat dhe me personat e akuzuar si sekserë.
Nga ana tjeter tre personat e akuzuar në rolin e sekserit, Vebi Bala, Ermal Lera dhe Ndoc Deda do të vijojnë të qëndrojnë në burg, pasi ky ishte edhe vendimi që dha gjykata në ngarkim të tyre.
Për 3 studentët dhe babain e njërës nga të akuzuarat, gjykata vendosi vetëm detyrim paraqitje.
Organi i akuzës i ka qëndruar versionit të dalë nga hetimi paraprak, se nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, ata kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200- 700 euro.
Një ditë më parë edhe rektorati i Universitetit të Shkodrës vendosi pezullimin nga detyra të dy pedagogëve.
/Ora News

