Liria e medias, ish-deputetja: Rama në kuvend ju ”mbyll gojën” deputetëve
Ish-deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka vënë përballë dy realitete që ndodhën sot, e që thelbin e kanë me lirinë dhe paanësinë e medias.
Hajdarmataj, duke marrë shkas nga paralajmërimi që kreu i kuvendit i bëri deputetes Albana Vokshi, shkruan se fjala e deputetes u ndërpre kur kreu i qeverinë po fliste për lirinë në konferencën me BE-në. Këtë situatë, ish-deputetja e ka cilësuar të rëndë dhe më tej si një standard të dyshimtë me rregulloren e kuvendit.
”Sot, në Tiranë, dy realitete të ndryshme, për lirinë e shprehjes dhe paanësinë e medias. Në njërin ambjent zhvillohet konferenca e BE-së, për lirinë dhe demokratizimin e medias, me pjesëmarrjen e Komisionerit Hahn, ndërsa në sallën e Parlamentit, Kryetari i Kuvendit, ish zyrtarë i lartë i komunizmit, i ndërpret fjalën në foltore, Kryetares së Komisionit të Medias, deputetes Albana Vokshi. Akt i rëndë për statusin e deputetit dhe standart i dyfishtë në zbatimin e Rregullores së Kuvendit”,shkruan ish-deputetja.
Hajdarmataj shtron pyetjen se si mund të kërkohet nga zyrtarë të BE-së, ligje që forcojnë statusin e gazetarit, kur paralamenti cënon fjalën e deputetëve.
”Si mund të flitet e të kërkohen, nga zyrtarë të Brukselit, ligje që të forcojnë lirinë dhe statusin e gazetarit kur ky Parlament cënon fjalën e lirë të deputetëve të tij? Si mundet që ky Parlament të jetë i hapur dhe aleat me mediat dhe për pasojë transparent me shqiptarët , që këta pretendojnë se përfaqësojnë, ndërkohë që Rama akuzoi sërish gazetarët se dhunojnë të drejtat dhe imazhin e politikanëve? Absurd dhe çmenduri njëkohësisht”,-vijon Hajdarmataj.
Në fund, ish-deputetja e mbyll me fjalët që kjo gjueti e shtrigave, është një luftë e imagjinatës së kreut Rama.
”Rama, kryeministri që ka armiq të hapur, pikërisht rojet e sistemit, rojet dhe luftëtarët e vërtetë për të drejtat, që janë mediat dhe njerëzit e saj. Një Zot e di deri kur dhe ku do ta çojë gjuetia e shtrigave, një luftë pa fund e imagjinatës së tij të sëmurë. Pooor në një narko shtet nuk ka vend për liri të medias dhe shtet të së drejtës”,-mbyll reagimin Mimoza Hajdarmataj, ish-deputete e PD-së.

