LSI bashkon kartonat me PD, rrëzojnë paketën fiskale në bashkinë Durrës
Në një kohë kur partitë opozitare kanë nisur aksionin e përbashkët në nivel qendror, duket se LSI dhe PD po bashkojnë forcat edhe në nivel lokal. Një lëvizje e tillë vjen nga Durrës, ku sot u rrëzua pakta fiskale e Bashkisë për vitin 2018. “BalkanWeb” mëson se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë bërë bashkë, ndërsa me 20 vota kanë votuar kundër kësaj pakete. Ndërkohë, 19 vota ishin pro dhe një abstenim.
Në mbledhjes e sotme të Këshillit Bashkiak, bashkia paraqiti si pikë të parë të rendit të ditës projektvendimin për ndryshimet në sistemin e taksave dhe tarifave vendore. PD propozoi zerimin e të gjitha taksave, tarifave vendore në fshatra pasi sipas tyre nuk ka asnjë shërbim nga ana e bashkisë Durrës. Po ashtu ajo propozoi mes të tjerash dhe mosrritjen e tarifës për tregtarët në tregje, mosrritjen e tarifës për plazhet private, etj.
Edhe LSI qëndroi në të njëjtën linjë. Edlira Hyseni e LSI, tha se këtë vit qeveria ka ndryshuar pagesën e tarifës mbi banesat. Ajo tha se qytetarët duhet të njoftohen dhe mos t’u vendoset tarifa afrofe. Drejtori i Taksave vendore në Bashki, Avdyl Koka sqaroi këshilltarët se ndryshimet janë bërë me konsultimin e të gjitha palëve në Komisionin e Ekonomisë. Pas kësaj Armand Teliti i PD-së tha se; “a do të merrem parasysh nga bashkia propozimet e PD dhe LSI?”.
Me t’u hedhur në votim, LSI dhe PD sëbashku ngritën kartonat e kuq duke qenë në shumicë. Kjo është hera e parë që LSI del në opozitë në Këshillin Bashkiak, duke bashkuar votat me PD për paketën fiskale. Më herët LSI kishte kundërshtuar rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Durrës. Vonesa e miratimit të paketës fiskale sjell edhe vonesë në miratimin e buxhetit të vitit 2018, prej nga varet edhe investimet publike.

