Lufta anti-kanabis, shteti harxhoi sivjet 6 milionë dollarë
Në vitin 2016 u harxhuan plot 6 milionë dollarë për të luftuar kanabisin.
1260 operacione policore, 4470 vende të kontrolluara në të gjithë vendin, 526 automjete, 2 helikopterë, 3 mijë forca policore, 2.5 milionë rrënjë bimë kanabis të asgjesuara, 600 mijë rrënjë të konstatuara në fazën e farishtes, 400 persona të evidentuar si të përfshirë një kultivimin e kësaj bime, 283 të arrestuar dhe 100 të shpallur në kërkim…
I gjithë ky angazhim i policisë në luftën ndaj kanabisit përgjatë vitit 2016 ka kushtuar plot 6 milionë dollarë, nga 3 milionë dollarë që kushtoi në 2015-n.
Këto shifra i bëri dje publike në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Skënder Kalemi, drejtor i drejtorisë së Krimeve në Policinë e Shtetit.
Sipas tij, ka qenë një nga angazhimet më të mëdha trë policisë që nga viti 1991 kur u konstatua parcela e parë e kanabisit e mbjellë në Shqipëri e deri më sot.
Kalemi mbrojti me argumente tezën se konstatimi dhe kontrolli i territorit ka sjellë edhe konstatimin më të madh të bimëve duke e krahasuar me vitet e mëparshme, por sipas tij policia ka bërë një punë të jashtëzakonshme.
Vlen të përmendet se tashmë drejtues të lartë të policisë dhe specialistët e saj kanë hartuar një strategji gjithëpërfshirëse për vitin tjetër që të parandalohet fenomeni i kultivimit dhe përhapjes së kanabisit.
Është një strategji që kërkon më shumë impenjim, më shumë kosto por edhe angazhim të strukturave të tjera të shtetit dhe shoqërisë.


