Lufta e Ftohtë në fotot e fotografit amerikan me origjinë shqiptare, George Tames

Nga Kristaq BALLI/Pas disa ditësh, në Tiranë do të çelet ekspozita retrospektive e fotografit të shquar amerikan me origjinë shqiptaro-greke George Tames (1919-1994) nën simbolikën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ajo është kuruar nga vajza e fotografit  Stephanie Tames, edhe ajo artiste e skulpturës aplikative dhe shkrimtare.

Si rrallë kush, George Tames konsiderohet si një nga fotografët dhe reporterët që ka punuar më gjatë në Shtëpinë e Bardhë, afërsisht 40 vjet, duke fotografuar e shkruar për 10 presidentë amerikanë rresht, që nga  Rusvelt, Truman, Ajzenauer, Kenedi, Xhonson, Nikson, Ford, Karter, Regan e deri tek  Bush (I vjetri), si dhe për zëvendëspresidentët, administratat e presidencave të tyre, për kongresmenë, senatorë, politikanë e personazhe të shquar të korridoreve politike amerikane e botërore, si edhe për shumë ngjarje e fenomene historike që shoqëronin njerëzimin dhe fatet e tij, të njohura e të panjohura ende në gjysmën e dytë të shek. XX. Midis tyre, p.sh, fotoja “Puna më e vetmuar”, që ka në qendër presidentin Xhon Kenedi (1961) është një nga fotot më të bujshme presidenciale, pasi ka thyer çdo kornizë konceptuale e kompozicionale të fotografimit të një presidenti. Kjo foto qëndron e ekspozuar qysh atëherë në zyrën e çdo presidenti pasardhës dhe, akoma, çdo president  e imiton atë duke bërë një foto të ngjashme. (Shih: K.Balli, “Fotografi i dhjetë presidentëve amerikanë”, Gazeta “Koha Jonë” 1 dhe 3 Nëntor 2015; K. Balli: Gazeta “Telegraf”, “Një Foto Botërore Presidenciale”, 17 Mars 2015, f. 16.). Por në opusin e veprimtarisë së tij fotografike, zënë vend gjithashtu edhe fotografitë e natyrës artistike, me njerëz të zakonshëm, peizazhe lirike, kompozime të frymëzuara nga jeta dhe puna e njerëzve të zakonshëm, fermerë, punëtorë, makinistë, peizazhet e fushave të grurit, të përshkruara nga një frymëzim lirizmi e perceptimi plot ndjenjë respekti e pathosi njerëzor,  ashtu si edhe foto të bëra nga  lartësia e avionëve me të cilët ai shoqëronte fushatat presidenciale. Ai e ka zhvilluar aktivitetin e tij fotogazetaresk në shërbim të gazetës kryesore amerikane “The Neë York Times”. Si një fotograf unikal dhe i suksesshëm, ai është autori i dhjetëra ekspozitave fotografike  personale e kolektive të dimensioneve të rëndësishme historike, politike, humane, artistike, çka dëshmon se krijimtaria fotografike e tij ishte e një rëndësie të veçantë jo vetëm pragmatiste, por pa kufij kohorë e etapash historike, universale. Mijëra foto të realizuara prej tij, të botuara apo jo,  përbëjnë një fototekë të pasur, pjesa më pikante e më e bukur e të cilave, sot, janë në arkivat e muzeve dhe bibliotekave presidenciale, si dhe në Muzeun Kombëtar të Portretit, Institutit Smithsonian, Muzeun e Artit Modern (MoMA), “Morgun e Gjallë” etj. dhe dëshmojnë jo vetëm impenjimin e tij profesional ndaj zhvillimeve historike, por edhe për nivelin e lartë estetik e artistik të realizimit të tyre, me të cilat ai mbetet edhe një konkurrues klasik ekskluziv ndaj teknologjive elektronike e dixhitale që zaptuan mediumet publike pas viteve ‘60. Gjithashtu, ai është fitues e meritues i shumë çmimeve e vlerësimeve   të larta(kur jetonte dhe pas vdekjes)  si Çmimin Kombëtar të Shoqatës së Fotografëve të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë  “Fourth Estate Aëard”, 1992,  për arritje të larta gjatë jetës,  Çmimin “National Press Club”, Çmimin e Ekselencës “George Polk Career”,  tre here vlerësimin e Fotografit të Vitit nga Fotografët e Lajmeve të Shtëpisë së Bardhë, 17 herë  Fotograf i Vitit nga Korpusi i Shtypit të Shtëpisë së Bardhë,  është shpallur “fotograf emeritus” etj.

Këtë shkrim, në mënyrë shumë sintetike po e shoqërojmë me disa foto  nga ajo pjesë e fototekës së tij me përmbajtje nga “Lufta e ftohtë” edhe në kontekstin aktual kur turbulenca të reja kundërshtish  kanë përfshirë fushatën elektorale aktuale presidenciale, kryesisht për situatën në Lindjen e Mesme, si paralajmërim i një tajfuni të mundshëm global.

Fenomeni i Luftës së ftohtë u shfaq si një tension politik e ushtarak pas Luftës II Botërore midis fuqive të bllokut perëndimor (SHBA, NATO etj) dhe fuqive të bllokut lindor (Bashkimit Sovjetik dhe shteteve satelite të tij) midis viteve 1947 dhe 1991 kur Bashkimi Sovjetik falimentoi. Të dy superfuqitë me sisteme politike, ekonomike e demokratike të kundërta nuk u impenjuan në një luftë direkte, por filluan një garë armatosjesh të rëndë e të sofistikuar për t’u parapërgatitur dhe paraprirë mundësinë reale të një lufte nukleare botërore. Të dy blloqet zotëronin arsenalet bërthamore me të cilat  kërcënonin njeri-tjetrin sipas idesë se sulmi i mundshëm i njerës palë do të shkatërronte plotësisht palën tjetër, që do të thosh një alarm i shkatërrimit reciprok. Gjithashtu shpërndarja konvencionale e forcave ushtarake ku kishte konflikte të armatosura, beteja për dominim, hegjemoni, lufta psikologjike, si fushatat masive  propagandistike dhe spiunazhi i institucioneve inteligjente, shantazhet, kërcënimet e  rivaliteti në ekonomi, teknologji dhe  garën hapësinore përbënin  premisat  për një gatishmëri dhe pritshmëri të nderur.  Lufta e ftohtë, për nga kronologjia  e ngjarjeve, ndahet në disa faza, nga të cilat fotografi George Tames ka përjetuar e pasqyruar një pjesë prej tyre,  deri aty nga viti 1986, kur ai u pensionua. Gjatë periudhës së Luftës së ftohtë kanë ndodhur shumë ngjarje të dimensioneve të rëndësishme historike, politike, luftarake të shtrira thuajse në të gjithë Globin, e ku dy superfuqitë botërore janë involvuar direkt, ose indirekt duke tentuar të fitojnë supremacinë e rendit dhe sistemit të ardhshëm botëror, por më së tepërmi të ruajnë një gjendje balance ndaj zonave të influencave të tyre politike e ushtarake. Një prej kulmeve të Luftës së ftohtë konsiderohet ndërtimi i murit të Berlinit, më 1961, i cili shënon edhe ndarjen de fakto të botës në dy kampe të kundërta politike e në konkurrencë të papajtueshme  ideologjike që tentonin të gjunjëzonin njeri-tjetrin.

gorge-tamesNë vitin 1953 vdiq Stalini dhe drejtimin e shtetit sovjetik e mori Hrushovi. Në SHBA, gjithashtu drejtimin e mori presidenti i radhës, Ajzenauer. Këto rinovime ndryshuan  edhe dinamikën e Luftës së ftohtë. Pas ngjarjeve që ndodhën me “njohjen e krimeve dhe destalinizimin e shoqërisë sovjetike”, dukej se situata e Luftës së ftohtë po shtensionohej disi qoftë edhe në uljen drastike të shpenzimeve për armatimin. Por në një takim me ambasadorët e shteteve perëndimore në ambasadën e Polonisë në Moskë, më 18 Nëntor 1956, Hrushovi i shokoi ata me deklaratën “E pëlqeni apo jo, historia është në anën tonë. Ne do t’ju groposim ju.”

       Më 15 Shtator 1959 Hrushovi filloi  një vizitë të gjatë në ShBA dhe u takua më 25 Shtator në Camp David, Maryland me presidentin Ajzenauer për bisedime mbi luftën e ftohtë. Përveç disa marrëveshjeve të përgjithshme ekonomike e kulturore të dakortësuara nuk u firmosën traktate të rëndësishëm politikë, por u sqarua më tej qëndrimi premtues i të dy palëve mbi çështjet globale, si dhe mirëkuptimi i shkëmbimit të vizitës së Ajzenauerit në Bashkimin Sovjetik vitin e ardhshëm. Por rrëzimi i një avioni spiun amerikan U-2 në muajin Maj 1960 mbi tokën sovjetike shuan shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-BRSS dhe vizitën e premtuar të Ajzenauerit pas këtij incidenti.

       Dështimi i tentativës për invazionin e Kubës, organizuar nga CIA amerikane në mes të Prillit të vitit 1961, që njihet si pushtimi i Bay of Pigs (Gjirit të Derrave), i cili forcoi pozitat e popullaritetin e  udhëheqësit komunist Fidel Kastro, madje duke e shndërruar atë në një hero kombëtar,  u shoqërua me një tensionim të ri të marrëdhënieve amerikano-kubaneze, si dhe me një angazhim të ri të marrëdhënieve midis Kubës dhe Bashkimit Sovjetik  e, si rezultat, me acarimin e Luftës së Ftohtë sovjeto-amerikane.  ShBA, pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave, të cilat u iniciuan nga presidenti  Ajzenauer dhe u zbatuan nga pasardhësi i tij  Kenedi,  ndërprenë thuajse të gjitha marrëveshjet ekonomike, tregtare, financiare, madje në formën e një embargoje. Andaj  mbështetja e mëtejshme e Kubës nga BS do të shoqërohej me një prani fizike e ushtarake të saj përballë Shteteve të Bashkuara, çka do të përvijonte idenë e një kërcënimi dhe riashpërsimi të Luftës së ftohtë. Madje, për shkak të kësaj situate do të pasonte një konflikt i ri i njohur si Kriza e Raketave Kubane, e cila mbetet edhe si një nga ngjarjet më  nderura e më potenciale për fillimin e një lufte të re shkatërruese botërore të bazuar në armët nukleare. Embargoja amerikane ndaj Kubës dhe ndonjë tentative tjetër  për pushtimin e saj nga SHBA do të përbënte pretekstin që BS, krahas ndihmave dhe marrëdhënieve të intensifikuara me Kubën, të ndërtonte aty poligonet për instalimin e raketave ndërkontinentale  bërthamore me rreze veprimi që mbulonin pjesën më të madhe të ShBA dhe hemisferës perëndimore, të cilat u zbuluan nga një avion spiun amerikan U-2. Kjo bëri që Amerika të vendosë bllokadën detare ndaj Kubës, e njohur si Karantina e Kubës dhe që kish për qëllim ndalimin e hyrjes së anijeve sovjetike me ngarkesa të armësh bërthamore. Fotoja  shoqëruese e realizuar nga George Tames pasqyron firmosjen nga presidenti Kenedi më 23 Tetor 1962 të Proklamatës së ndalimit të furnizimit me armë ofensive të Kubës, ose Karantina e Kubës. Në një letër nga Nikita Hrushovi ditën pasuese paralajmërohej se bllokada përbënte një akt agresioni dhe se kriza do të përshkallëzohej. Por,nga ana tjetër Karantina e Kubës shërbeu për nisjen e negociatave për zgjidhjen paqësore të kësaj krize që, nëse do të menaxhohej iracionalisht nga ndonjë palë, mund të shkaktonte luftën më shkatërrimtare globale. 13 ditët e krizës  (Tetor 1962) të mbushura me tension, ankth, këshillime, fjalime, diplomaci, konspiracion, bisedime bilaterale çuan më në fund në gjetjen e një marrëveshjeje paqësore më 28 Tetor, ku Bashkimi Sovjetik premtonte tërheqjen e  armëve bërthamore nga Kuba, ndërsa  ShBA garantonte mossulmimin e Kubës, si dhe zhvendosjen e raketave bërthamore nga Turqia.

George Tames e filloi punën e tij si një korrier zyre, por e vazhdoi dhe e elaboroi atë “step by step”  në mënyrë shumë graduale e racionale duke e shndërruar atë në një karrierë me pretendime të vetëdijshme profesionale e krijuese. Suksesi i aktivitetit të tij fotografik rezultoi aq bindshëm e relevant, sa që ai u konsiderua si  “syri i historisë” .

George Tames do të mbetet në memorien dhe vetëdijen e botës mediatike amerikane si një prej mjeshtërve më jetëgjatë e më prodhimtarë të fototekës amerikane që i la asaj jo vetëm pasurinë enumerike, por edhe shumë e shumë dëshmi retrospektive autentike të ngjarjeve deçizive historike, kryesisht nëpërmjet portreteve e fotove presidenciale, zhbirimit të tyre psikologjik politik, dramatik,  human, familjar, intim, lirik, që, në fakt, pasqyrojnë figurativisht edhe gjendjen shpirtërore të kombit amerikan në situata respektive historike, politike, ekonomike, shoqërore.

Sigurisht që numri i fotove të realizuara nga G. Tames që i referohen Luftës së ftohtë është i madh e i larmishëm, sidoqoftë edhe kjo tufë e paraqitur nga pinakoteka e tij në vite  përbën një dëshmi vizive  historike të pashlyeshme; në mënyrë eksplicite krijimtaria e tij konsiderohet si histori në fotografi, si memorie e përjetshme, por edhe  me theks të posaçëm aktual, që përçon një mesazh të thellë politik e human mbi realitetet e reja, mbi  menaxhimin paqësor global dhe mospërsëritjen e tragjedive që shkaktojnë luftërat “e nxehta”, apo  “të ftohta”: Bota jonë është e vogël, i gjithë njerëzimi jeton mbi këtë planet të përbashkët, jeta e racës njerëzore  është e vetme dhe shkurtër, ndaj duhet të  jetohet ashtu si e ka dhuruar natyra, ajo nuk duhet të jetë e kërcënuar dhe e rrezikuar nga agonia e vëllavrasjes, e luftërave vrastare.

 Së fundi dua të kujtoj vlerësimet e panumërta që i janë bërë George Tmes nga shumë personalitete e institucione kulturore  për grintën profesionale e mjeshtërore prej një fotografi e letrari që me talentin, pasionin, përkushtimin dhe përvojën e gjatë të ketë në çdo shkrepje edhe një rrezatim krijues, estetik e artistik origjinal.

SHKARKO APP