Lulzim Basha është zyrtarisht kryetar i PD, ja shkresat
Që Lulzim Basha është kryetar i PD-së kjo dihej, ndonëse formalisht deklarohej se kishte dhënë dorëheqjen. Por në gjykatë asnjëherë nuk kishte shkuar dorëheqje me shkrim, çka solli edhe humbjen e gjyqit në Apel për Berishën e grupin e tij.
Në fakt ajo që i bënë Berishës mbetet akt kriminal, sepse ngjarjet treguan se ai ka shumicën e demokratëve.
Sidoqoftë sot në KQZ kanë afatin e fundit partitë politike për të dorëzuar kërkesën dhe dokumentacionin ligjor që të regjistrohen në zgjedhjet e 14 majit.
Berisha insiston dhe ka dërguar shkresë KQZ-së për regjistrim, ndonëse ka lajmëruar edhe variantin rezervë që nëse nuk e regjistrojnë, pra se do të futet me koalicion.
Nga ana tjetër Grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka depozituar në KQZ letrat për regjistrim me emrin PD. Por ajo çfarë duket nga letrat e protokolluara në KQZ del se Lulzim Basha është kryetar i PD dhe se pa firmën e tij nuk bëhet asgjë.
Grupi i Alibeajt ka depozituar sot një kërkesë në KQZ për të regjistruar PD-në zgjedhjet e 14 majit dhe pjesë të dosjes ka futur një letër të Lulzim Bashës që në cilësinë e kryetarit të PD-së autorizon nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e përgjithshëm, Gazmend Bardhi të përfaqësojnë këtë forcë politike.
“Unë Lulzim Basha, me funksion kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore të 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga nënkryetari i Partisë Enkelejd Alibeaj dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe/ose Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa…”, thuhet në letrën që është dërguar në KQZ.
Por drejtimi ligjërisht i PD-së nga Lulzim Basha provohet edhe nga një Gjykata e Tiranës në 1 mars 2023 e cila ka vërtetuar që ai është kryetar i PD-së.
Ndaj më mirë do të ishte të kthehej Lulzim Basha në krye të PD, sesa fshihet nëpër copa letrash dorëheqje. Pavarësisht se PD-ja reale, me elektorat, është Berisha.
Sido të jetë, e mira do të ishte që Basha ose ta çojë dorëheqjen e tij në gjykatë ose të dalë publikisht në fushatë.
Shiko shkresat e mëposhtëme: