Masakra e Cërrikut 1997, arrestohen dy të dënuarit
Dy shtetas të shpallur fajtorë në rigjykimin nga Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë për vrasjen e gjashtë gardistëve dhe plagosjen e 16 të tjerëve, janë arrestuar nga policia e Elbasanit. Ata janë autorë në ngjarjet e ndodhura në Cërrik në vitin 1997.
Sic bëhet me dije, të ndaluarit janë Meti Bozi, 58 vjeç dhe Skënder Cano, 61 vjeç. Shkalla e Parë për Krime të Rënda në Tiranë vendosi dy ditë më parë dënimin me burg përjetë për Bozin dhe 13 vjet për Canon. Si anëtarë të bandës së Cërrikut, u dënuan për vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të gjashtë policëve dhe vrasjen e mbetur në tentativë për 16 efektivë të tjerë të policisë dhe Gardës së Republikës.
Meti Bozi, Skënder Cano dhe Llazar Bicja u shpallën të pafajshëm nga Apeli i Krimeve të Rënda në shtator të 2012-s, vendim ky që u rrëzua nga Gjykata e Lartë në 2015 dhe çështja u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda.
Ndërkohë, policia thotë se po punon për kapjen e dy personave të tjerë.
Në maj të vitit 1997 u sulmua me armë posta e policisë në qytetin e Cërrikut. Pas sulmit, forca të Gardës u nisën nga Tirana për të rivendosur rendin në këtë qytezë. Por, sipas prokurorisë, garda u sulmua nga grupe të armatosura, të organizuar nga të dënuarit, ku dhe mbetën të vrarë gardistët Besnik Sula, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi, si dhe u plagosën 16 të tjerë.

