Masakra mesazh për Aldo Baren? Lidhja e dy viktimave me…
Atentati mafioz këtë të mërkurë në Lushnje ka rikthyer edhe një herë luftën mes bandave të këtij qyteti, hakmarrja e të cilave duket se vazhdon ende sot pas 20 vitesh nga viti i errët 1997.
Viktimat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Ramadan Shkurtit), kreut të bandës së Lushnjës i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë.
Xhulio Shkurti u raportua fillimisht i plagosur në atentatin e kësaj të mërkure, por sipas versionit zyrtar të policisë një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Megjithatë ai nuk është emër i panjohur për policinë pasi më 25 shtator të vitit 2016 mbeti i plagosur së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç, në një tjetër atentat, në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e sotme.
Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç.
Lidhjet kriminale shkojnë më tej pasi ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Për këtë vrasej, Haxhiu doli nga burgu në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 për trafik heroine. Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, babai i Xhulios, Ramadan Shkurti u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo për shkak të luftës mes bandës së tij dhe atë të Aldo Bares (emri i vërtetë Alfred Shkurti).

