Masakra në Lushnje, burimet: Autorët ndodhen në Gjermani
Kur kanë kaluar tre javë nga masakra në Lushnje, aty ku dy të rinjtë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi u vranë mizorisht afër komisariatit të Policisë në Lushnje, ende vrasja nuk ka të arrestuar.
Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, autorët e dyshuar mendohet se janë larguar jashtë vendit. Burimet nga Prokuroria e Lushnjes pohuan se pista në të cilën po punohet është ajo e largimit me pasaporta false. Destinacion sipas burimeve, dyshohet të jetë Gjermania.
Policia dhe Prokuroria e Lushnjes nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e autorëve te dyshuar Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin.
Në sistemin TIMS, ata nuk figurojnë të kenë dalë nga vendi ynë por dyshimet janë për kalim kufiri me pasaportë false. Kërkimet e Prokurorisë së Lushnjes për gjetjen e autorëve kanë vijuar edhe në rrethin familjar.
Prindërit e Haxhiut dhe Bilbilit kanë deklaruar në Prokurori se disa muajsh përpara vrasjes së dy personave, ata nuk kanë pasur komunikim me fëmijët e tyre. Të rinjtë njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares.

