Mbetet në burg biznesmeni që kultivonte kanabis në Kurbin
Biznesmeni Lefter Nelaj, i dyshuar si organizator dhe financues i kultivimit të dhjetëra parcelave me kanabis në Kurbin ka dalë përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Pavarësisht pretendimeve të të arrestuarit se nuk kishte lidhje me kultivimin e kanabisit dhe se prokuroria nuk kishte prova, Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit.
Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit. Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
Me kërkesë të prokurorisë, gjykata la në fuqi edhe vendimet e arrestit me burg për të dyshuarit Hashim Nelaj, Elton Haxhiu, Sami Balloku dhe Aldo Xhaferri, me cilësinë e bashkëpunëtorëve të këtij grupi kriminal.
Aktualisht, 7 personave janë arrestuar dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim për 35 parcela me kanabis në malësitë e Kurbinit. Këtij grupi i janë gjetur 212 kg hashash dhe rreth 28 mijë rrënjë kanabis.

