Mbingarkesë në Gjykatën e Gjirokastrës, 1257 çështje të mbartura nga vitet e kaluara
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër ka përballuar një ngarkesë të konsiderueshme pune gjatë vitit 2025, duke administruar një numër të lartë çështjesh gjyqësore. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 2132 çështje të reja, të cilave u janë shtuar edhe 1198 çështje të mbartura nga viti 2024, duke e çuar totalin e dosjeve për shqyrtim në 3330.
Në analizën vjetore të prezantuar nga drejtuesja e gjykatës, u theksua se gjatë vitit 2025 janë përfunduar 2073 çështje, ndërsa 1257 të tjera janë shtyrë për shqyrtim në vitin pasardhës, 2026. Këto shifra tregojnë se, pavarësisht volumit të lartë të punës, një pjesë e konsiderueshme e dosjeve mbetet ende në proces gjykimi.
Në raport u evidentua gjithashtu një përmirësim në menaxhimin e çështjeve të mbartura, ku gjykata ka arritur të ulë numrin e tyre me rreth 35%, duke u renditur ndër institucionet me performancë më të mirë në nivel vendi për këtë tregues.
Sa i përket natyrës së çështjeve, ngarkesa më e madhe është shënuar në çështjet familjare me palë kundërshtare, ku janë regjistruar 230 raste, prej të cilave 153 lidhen me zgjidhje martese. Gjithashtu, gjatë vitit janë shqyrtuar edhe 53 kërkesa për urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje në rastet e dhunës në familje, duke reflektuar një problematikë të vazhdueshme sociale.
Në aspektin penal, të dhënat tregojnë se veprat penale me rrezikshmëri të ulët përbëjnë pjesën më të madhe të dosjeve, ndërsa veprat kundër rendit dhe sigurisë publike zënë numrin më të lartë me 227 raste. Në përfundim, theksohet se trupa gjyqësore ka punuar nën një ngarkesë të lartë, me qëllim respektimin e afateve ligjore, përshpejtimin e proceseve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

