Më në fund Berisha vendos: Do të nisim protestat pa ndërprerje, ditë-natë deri në rrëzimin e Ramës

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se PD do të nisë protestat dhe se ato do jenë të vazhdueshme.

“Partia do të nisë protestat. Por, përpjekjen e opozitës duhet ta marrim si një proces. Nuk është kjo një protestë që do të fillojë sot, do rrijë disa orë aty dhe pastraj do të shpërndahet.

Kjo do jetë protestë e një lloji tjetër. Kjo kërkon një përgatitje të plotë, në radhë të parë psikologjike, politike, të gjithanshme. Pastaj kur të fillojë, nuk duhet të ndërpritet.

Sepse, nuk ka diskutim që thelbi i të gjithë përpjekjes së opozitës është mbrojtja e lirive të qytetarëve shqiptarë, votës së tyre, rikthimin i këtyre të drejtave. Qytetari shqiptar përballet sot me probleme shumë të dhimbshme, të cilat ndoshta në një mënyrë a tjetër, edhe ia sfumojnë interesin për lirinë.

Por, ne jemi këtu dhe do bëjmë gjithçka t’i bindim ata se të gjitha këto që ndodhin, kanë emërues të përbashkët mungesën e lirisë së tyre në çdo aspekt. Nëse opozita heq dorë nga kjo, firmos për të qenë fasadë e një regjimi që bazohet mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë,” tha Berisha.

I pyetur në lidhje me faktin se kush është Sekretar i Përgjithshëm i PD, Berisha tha: “Sekretar i Përgjithshëm i PD është Flamur Noka. Zoti Gazment Bardhi është kryetar i grupit parlamentar, po shkojmë drejt bashkimit në një proces serioz dhe në një proces, i cili ka një mirëpritje të gjerë nga demokratët”.

SHKARKO APP