FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Media spanjolle: Riviera Shqiptare, parajsa mesdhetare mes bukurisë natyrore dhe zhvillimit turistik

Bregdeti shqiptar është një ndërthurje mes bukurisë natyrore dhe zhvillimit turistik, i cili gradualisht po përpiqet të përshtatet me standardet e mbrojtjes së mjedisit, shkruan Carmen Giró në një artikull të botuar në median prestigjioze spanjolle “La Vanguardia”.

Ujëra të kristalta, gjire të fshehura dhe plazhe të pajisura me të gjitha shërbimet. Por krahas tyre, edhe muzikë me volum të lartë, ndërtime pranë vijës bregdetare dhe zhurma të motorëve të ujit.

E gjithë kjo përbën realitetin e Rivierës Shqiptare: një kombinim mes peizazheve mahnitëse natyrore dhe zhvillimit intensiv turistik, i cili jo gjithmonë ka qenë i kontrolluar, por që sot po përpiqet gradualisht të ecë drejt një modeli më të qëndrueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Plazhet shqiptare të Adriatikut karakterizohen kryesisht nga rëra e imët, ndërsa ato të Jonit dominohen nga guralecët.

Swiss Digital Mobile Reklama

Shqipëria zotëron më shumë se 400 kilometra vijë bregdetare. Plazhet e lagura nga deti Adriatik janë kryesisht me rërë të imët, ndërsa ato të detit Jon përbëhen kryesisht nga guralecë.

Gjatë sezonit veror, brigjet mbushen me pushues, mjete ujore, bare plazhi me muzikë të lartë, kokteje dhe zona private ku ofrohen çadra e shezlongë me qira.

Në disa raste çmimet janë të përballueshme, ndërsa në raste të tjera mund të jenë më të larta.

Plazhet kanë qenë pika e nisjes së zhvillimit turistik të Shqipërisë, i cili nisi rreth dy dekada më parë.

Me përmirësimin e ekonomisë, rritjen e sektorit privat dhe zhvillimin e infrastrukturës, turizmi ka nisur të ndryshojë.

Qytetet turistike po përmirësojnë gradualisht imazhin e tyre dhe po përpiqen të krijojnë një ofertë më cilësore, megjithëse për shumë vizitorë atmosfera tipike e pushimeve në bregdetin shqiptar, vazhdon të lidhet me gjallërinë, argëtimin, jetën e natës dhe turmat e turistëve.

Vlora, qyteti kryesor bregdetar

Destinacionet kryesore të bregdetit shqiptar vazhdojnë të ruajnë një bukuri të veçantë. Udhëtimi mund të nisë nga Vlora, një qytet me një qendër historike interesante dhe një shëtitore bregdetare të rikonstruktuar.

Nga Vlora mund të vizitohet Laguna e Nartës, laguna e dytë më e madhe në Shqipëri dhe një zonë me vlera të rëndësishme natyrore, ideale për eksplorim.

Një rrugë e vogël përshkon zonën e lagunës, duke kaluar përmes dunave, pyjeve dhe hapësirave natyrore pothuajse të paprekura.

Nga ky vend mund të vëzhgohen flamingot dhe më shumë se 100 lloje shpendësh.

Laguna lidhet me gjirin e Vlorës, ku ndodhet gadishulli i Karaburunit, një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike, e cila është ruajtur në një gjendje relativisht të mirë, falë faktit se për një kohë të gjatë ka qenë zonë ushtarake.

Hyrja në disa pjesë të saj ka qenë e kufizuar, por përmes udhëtimeve me varkë, mund të admirohen plazhe të izoluara dhe shpella me bukuri të rrallë natyrore.

Përballë gadishullit, në drejtim të Kanalit të Otrantos, ndodhet ishulli i Sazanit, i cili vetëm kohët e fundit, ka nisur të hapet gradualisht ndaj turizmit.

Ishulli ofron plazhe të mrekullueshme me ujëra të kristalta.

Gjire dhe fortifikime

Duke vijuar udhëtimin drejt jugut, fillon zona që njihet gjerësisht si Riviera Shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora deri në kufirin me Greqinë.

Duke nisur nga plazhi i Palasës, shfaqet një varg vendbanimesh dhe gjirresh të vogla, që dikur ishin të izoluara dhe të paprekura, por që vitet e fundit, kanë nisur të përballen me urbanizim të shpejtë.

Në këtë zonë ndodhen disa nga perlat më të bukura të bregdetit shqiptar, si Dhërmiu, Gjiri i Gjipesë dhe Jala — vende që mund të krahasohen me peizazhet e Costa Brava në Katalonjë, ku pyjet me pisha, shkëmbinjtë dhe deti ndërthuren në një panoramë spektakolare.

Këto gjire mund të arrihen përmes rrugëve dytësore dhe shtigjeve natyrore, ose edhe me varka turistike që nisen nga Himara.

Për ata që udhëtojnë me makinë, rekomandohet mbërritja herët, pasi mundësitë e parkimit janë të kufizuara dhe infrastruktura në disa prej këtyre zonave mbetet ende e pamjaftueshme.

Himara është një qytezë e qetë dhe mikpritëse, me një shëtitore bregdetare, që të sjell ndër mend atmosferën e qyteteve mesdhetare të viteve ’60.

Vizitorët mund të shëtisin buzë detit, të shijojnë një akullore apo një kafe, ndërsa vëzhgojnë varkat e vogla, që nisen për ekskursione drejt gjireve dhe plazheve përreth.

Nga të gjitha zonat e Rivierës Shqiptare, Himara konsiderohet një nga vendet me atmosferën më të qetë dhe me karakter më familjar.

Ajo ofron mundësi për të vizituar plazhe të ndryshme, si dhe për t’u ngjitur drejt rrënojave të kalasë historike.

Qyteti ndahet në dy pjesë kryesore: zona e shëtitores dhe plazhit, si dhe qyteti i vjetër historik, i vendosur në lartësi.

Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, sot në gjendje rrënojash, ngrihet mbi një grup shtëpish tradicionale prej guri, ku ende jetojnë banorë vendas.

Duke vazhduar rrugëtimin përgjatë bregdetit, hasen një sërë plazhesh të vogla, që ofrojnë mundësi, për të shijuar natyrën dhe detin, deri në mbërritjen në gjirin e Porto Palermos.

Ky vend përbën një nga peizazhet më karakteristike të Rivierës Shqiptare: një kep shkëmbor që futet në det, një gji i mbrojtur dhe një fortifikim i vogël me origjinë veneciane, i ndërtuar në formë trekëndore.

Në fillim të shekullit XIX, Ali Pashë Tepelena lejoi që Marina Mbretërore Britanike ta përdorte këtë fortesë si bazë logjistike.

Sipas legjendave, vetë Ali Pasha e përdori kalanë për të fshehur thesarin e tij dhe urdhëroi ekzekutimin e punëtorëve dhe arkitektëve, që kishin marrë pjesë në ndërtim, në mënyrë që ata të mos zbulonin mënyrën e hyrjes në objekt.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, fortifikimi u pushtua nga forcat italiane, të cilat i shndërruan hapësirat nëntokësore në ambiente burgimi.

Festa dhe raki

Më tej drejt jugut, nga Saranda deri në Ksamil, pranë kufirit me Greqinë, shtrihet zona më dinamike dhe më e gjallë e të gjithë bregdetit shqiptar.

Kjo pjesë e Rivierës karakterizohet nga një atmosferë që shpesh krahasohet me atë të Ibizës ose me zonat më të frekuentuara turistike të Italisë së Jugut: bare plazhi me muzikë të lartë, jetë nate aktive, plazhe të mbushura me turistë, ambiente luksoze dhe vizitorë, që kërkojnë përvoja të lidhura me rrjetet sociale dhe fotografinë.

Për ata që dëshirojnë të kalojnë një ditë të plotë në diell, duke u relaksuar pranë detit dhe duke shijuar kokteje, në një ambient plot gjallëri, kjo zonë është një nga destinacionet më të përshtatshme.

Plazhet e Ksamilit janë ndër më të njohurat në Shqipëri.

Rëra e bardhë, e cila në pjesë të caktuara është sjellë artificialisht, krijon një pamje që u ka dhënë këtyre plazheve një “efekt Karaibesh” dhe i ka shndërruar në një nga vendet më të fotografuara të vendit.

Përballë Ksamilit ndodhen të ashtuquajturit “Tre Ishujt”, simbole të rëndësishme të këtij destinacioni turistik.

Pamja e tyre është veçanërisht, mbresëlënëse gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit.

Dy ishujt më pranë bregut, mund të arrihen edhe duke notuar, ndërsa të tre mund të vizitohen përmes tureve me varkë.

Nga Ksamili mund të organizohen gjithashtu vizita drejt parkut arkeologjik të Butrintit, si dhe drejt Lagunës së Butrintit, një zonë natyrore e mbrojtur, që ofron një kontrast të fortë me atmosferën e zhurmshme të plazheve përreth.

Përballë Ksamilit, ndodhet ishulli grek i Korfuzit dhe për këtë arsye shumë turistë, zgjedhin të bëjnë udhëtime njëditore drejt tij ose anasjelltas, duke përdorur linjat e trageteve.

Në Lagunën e Nartës rriten ngjala të gjata dhe të holla, të cilat përgatiten tradicionalisht, në skarë ose me salcë domatesh.

Gjatë sezonit turistik, veçanërisht në muajt korrik dhe gusht, plazhet zakonisht janë të mbushura me pushues dhe aktivitete ujore.

Megjithatë, ata që zgjedhin të udhëtojnë në muajin qershor ose shtator, mund të përjetojnë një tjetër anë të Rivierës Shqiptare: më të qetë, më të lirë dhe më pranë natyrës, duke shijuar kilometra të tëra plazh me më pak njerëz.

Edhe gjatë verës, vizitorët që janë të gatshëm të ecin pak më shumë, mund të zbulojnë gjire të vogla dhe të izoluara, ku mund të shijojnë qetësinë larg zonave më të frekuentuara.

Gastronomia lokale

Kur vjen koha për të shijuar ushqimin, Riviera Shqiptare ofron një kuzhinë mesdhetare të pasuruar me elemente tradicionale shqiptare.

Ndër gatimet më karakteristike janë, sardelet e skuqura të shoqëruara me raki, si dhe supa e peshkut, e përgatitur me erëza aromatike dhe limon.

Në zonën e Lagunës së Nartës përgatiten ngjala të gjata dhe të holla, të cilat gatuhen në skarë ose me salcë domatesh.

Vizitorët mund të provojnë gjithashtu tava me qofte peshku, midhje, si dhe peshk të freskët të pjekur në skarë, i shoqëruar me verë të bardhë vendase ose me një gotë raki.

Afërsia me ishullin e Korfuzit dhe prania historike e komunitetit grek në këtë zonë, kanë ndikuar edhe në gastronominë lokale, ndaj shumë restorante ofrojnë gjithashtu gatime tradicionale greke, si musaka dhe xaxiqi. ata

https://www.lavanguardia.com/magazine/viajes/20260715/11588872/parece-caribe-esta-europa-naturaleza-fiesta-riviera-albanesa.amp.html

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?