Mediat greke zbardhin arsyen e takimit të ambasadores së SHBA në Athinë me Ramën
Mediat greke kanë zbardhur vizitën e ambasadores amerikane në Athinë tek zyra e kryeministrit Edi Rama para disa ditësh. Marrëveshja e re për kërkimin dhe shfrytëzimin e nikelit dhe kobaltit në Shqipëri është shkaku i takimit. Kjo lëvizje shihet si pjesë e përpjekjes së Evropës në tërësi për të siguruar burime strategjike jashtë ndikimit të vendeve të treta, ndërsa për Shqipërinë përfaqëson një nga investimet më të mëdha minerare të viteve të fundit.
Projektet e mëdha energjetike dhe infrastrukturore financohen ose mbështeten nga kapital amerikan dhe madje edhe investimi në Shqipëri pritet të financohet kryesisht nga fonde amerikane. Kjo për arsye se metalet si nikeli dhe kobalti janë thelbësore për bateritë e automjeteve elektrike dhe sistemet e ruajtjes së energjisë, prandaj projekti shihet si pjesë e zinxhirit perëndimor të furnizimit për teknologjitë e gjelbra.
Sipas marrëveshjes me Shqipërinë, e nënshkruar me BNI Foundation për nikel dhe kobalt, AKTOR do të hyjë në sektorin minerar shqiptar përmes një kompanie të re me 51% të kapitaleve. Rezervat vlerësohen mbi 500 mijë ton nikel dhe 250 mijë ton kobalt, metale që konsiderohen “nafta e teknologjive të reja”, pasi janë bazë për bateritë e automjeteve elektrike dhe energjinë e pastër. Kjo në një moment kur, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), kërkesa për kobalt pritet të vazhdojë të rritet në të ardhmen dhe të arrijë në rreth 330.000 tonë deri në vitin 2040, nga 221.000 tonë në vitin 2024.
Marrëveshja me Shqipërinë, përveç se konsiderohet strategjike pasi forcon zinxhirin perëndimor të materialeve kritike dhe vendos Shqipërinë në hartën e industrisë së baterive, i jep një hov zhvillimi infrastrukturës së vendit, pasi hap perspektivën e ndërtimit të rrugëve të reja, sidomos të linjave hekurudhore që do të lidhin rajonin juglindor të Shqipërisë përmes Bilishtit, ku është fokusuar investimi, me portin e Selanikut apo të Pireut.
KOHA JONË SONDAZH

