Mes flakëve që përfshijnë vendin, Balla kritikon drejtësinë për mungesën e ndëshkimeve

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme në vend, duke kërkuar që autorët të përballen me masa më të ashpra dhe ndëshkim efektiv nga drejtësia.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen nga institucionet rastet e zjarreve të shkaktuara me dashje. Ai thekson se Kodi Penal parashikon deri në 20 vite burg për personat që vendosin qëllimisht zjarr në pyje, por sipas tij, rezultatet konkrete të hetimeve dhe proceseve gjyqësore tregojnë një situatë problematike.

Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, Balla bën me dije se gjatë pesë viteve të fundit janë hetuar 211 raste të zjarrvënies, ndërsa vetëm 18 persona janë shpallur fajtorë. Për këtë arsye, ai shprehet se “drejtësia shqiptare është dorëzuar përpara piromanëve”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar socialist sjell si shembull edhe situatën e krijuar nga zjarri i madh në Krujë, ku flakët u vunë nën kontroll pas një përpjekjeje të vështirë nga strukturat e emergjencës dhe zjarrfikësit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Balla thotë gjithashtu se, sipas raportimeve në media, personi i dyshuar për zjarrvënien në këtë rast është lënë i lirë, pasi prokurori ka vlerësuar si të paligjshëm ndalimin e kryer nga Policia e Shtetit.

Sipas tij, mungesa e ndëshkimeve të forta dhe efektive rrezikon të nxisë përsëritjen e këtyre rasteve, ndërsa barrën kryesore e mbajnë zjarrfikësit dhe strukturat që përballen çdo ditë me flakët.

Balla paralajmëron se, nëse kjo situatë vijon, lufta ndaj zjarreve do të bëhet edhe më e vështirë. Ai thekson se kur vetëm një në 12 raste përfundon me një person të shpallur fajtor dhe edhe në këto raste mungon ndëshkimi shembullor, autorët mund të ndihen të paprekshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?