Meta, Rama dhe Basha në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, zbardhen detajet e mbledhjes

Ditën e sotme Presidentit të Republikës, Ilir Meta thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Takimi i krerëve të shtetit u zhvillua nëpërmjet një video-konference dhe kishte në qendër të diskutimeve situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.
Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Presidenca njofton se çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës. Kryetari i Kuvendit i shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor. 

SHKARKO APP