Ministri i Drejtësisë Manja: Vrasjet e 21 janarit duhet t’i hetojë SPAK
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një konferencë për mediat ka deklaruar se SPAK duhet të nisë hetimet një orë e më parë, pas daljes së provave të reja në lidhje me ngjarjen e “21 Janarit”.
Manja thekson se fakti i publikuar së fundi tregon se ka patur një zinxhir komandues dhe urdhërues për të qëlluar protestuesit.
Deklarata e ministrit
“I takon prokurorisë ta marrë këtë provë të re dhe të nisë hetimet një orë e më përpara për vrasje shtetërore. SPAK duhet të japë shpjegim se çfarë ndodhi në datë 21 Janar kur katër qytetarë të pafajshëm u qëlluan nga dritaret e kryeministrisë. Berisha ka deklaruar se protestuesit i vrau garda e republikës e cila sipas Berishës mbrojti kryeministrinë nga katër qytetarë me duar në xhepa. Ka një fakt të ri që duhet të hetohet nga SPAK dhe përligj deklarimet e ish kryeministrit të kohës. Presim që SPAK të thërrasë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë ranë organit të akuzës dhe të zbardhë përfundimisht të vërtetën. 21 Janari ishin vrasje të pastra shtetërore. U vranë katër qytetarë në kohën kur protesta ishte drejt përfundimit. Shqiptarët i kanë parë të gjitha pamjet”- përfundon Manja.