Ministri Klosi: Hotelet e reja me 4 dhe 5 yje do të jenë me taksa zero
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi mori pjesë në inaugurimin e anijes “Michael”, në Portin e Durrësit ku ishin të pranishëm përfaqësues të agjencive turistike në vend si dhe përfaqësues të kompanive të transportit.
Në fjalën e tij ministri Klosi tha se gjendet në këtë ceremoni për të përshëndetur nga afër një investim që do të afrojë Shqipërinë më shumë me Italinë e Veriut dhe me Evropën Qendrore duke krijuar mundësi për zhvillimin e një turizmi më elitar në Shqipëri dhe rritjen e kapacitetit të vendit tonë edhe jashtë sezonit për të pasur sa më shumë turizëm.
Ministri ndau me të pranishmit paketën e re fiskale e cila do të sjellë në Shqipëri inciativa të shkëlqyera për investitorët në fushën e turizmit, të cilat krahasuar me vendet e rajonit janë më pozitive. Ministri Klosi u shpreh se hotelet e reja me 4 dhe 5 yje me status special do të jenë me taksa zero, pra do të hiqet taksa e infrastrukturës për këto lloj hotelesh në të gjitha hapësirën e zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Gjithashtu për të gjitha shërbimet brenda kësaj game hotelerie, do të ketë 6% tvsh-në e zhvillimit të të gjithë bizneseve brenda këtij sektori.
Ministri kërkoi gjithashtu një bashkëpunim me të gjithë përfaqësuesit e biznesit, përfaqësitë diplomatike, pushtetin lokal, aktorët dhe faktorët e interesuar në këtë fushë, që të bëhet një promovim sa më i gjerë i mundësive të shkëlqyera që turizmi ka në vendin tonë.
Për të parën herë, anija “Michael”, prodhim i viteve të fundit, pesëfishon kapacitetin e transportit me 1000 pasagjerë, 120 kamionë dhe 200 vetura me një itinerar Durrës –Ankona – Trieste – 3 herë në javë. Nëpërmjet kësaj anije shkurtohet koha e udhëtimit midis dy vendeve dhe rritet mundësia për shkëmbimin e turistëve. Anija respekton të gjitha standartet e transportit detar dhe mjedisor.
Deklarata e plotë e Ministrit Klosi:
Për të patur një turizëm sa më cilësor do të doja të ndalesha në dy momente; e para, e vendosjes së një lidhje shumë më të shpejtë tashmë me Italinë e Veriut dhe kështu pra me Evropën Qendrore për të pasur mundësi që të shikojmë me shumë më tepër probabilitet ardhjen e një turizmi më elitar në Shqipëri dhe ardhjen e një turizmi i cili nuk shkon vetëm gjatë sezonit turistik, por të kemi mundësi që me kushte të tilla të krijuara në transport ku padyshim edhe zhvillimet që do të ndodhin në fushën e transportit ajror do të krijojnë mundësinë e rritjes së kapacitetit të vendit tonë edhe jashtë sezonit për të marrë më shumë turizëm.
E dyta shumë e rëndësishme që do të doja ta ndaja me ju duke e ndier që keni një komunitet që është shumë i interesuar për këtë aspekt është paketa e re fiskale që po kalojmë në parlament me buxhetin e vitit 2018. Duket tashmë se sjell në Shqipëri inciativa të shkëlqyera për investitorët në fushën e turizmit , iniciativa të cilat të krahasuara me vendet e rajonit janë më pozitive. Iniciativat të cilat kërkojnë që hotelet që do të vijnë në Shqipëri dhe të krijojnë hotelet e reja me 4 dhe 5 yje me status special pra që do të kenë një emër të njohur edhe në tregun europian të zhvillimit të turizmit do të jenë me taksa zero,do të hiqet taksa për këto lloj hotelesh në të gjitha hapësirën e zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Për të gjitha shërbimet brenda kësaj game hotelerie, do të kemi 6% tvsh-në e zhvillimit të të gjithë bizneseve brenda këtij sektori, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për iniciativa të tjera, mundësi të reja për tē investuar në Shqipëri. E them këtë në ambientin tuaj pasi realisht ne kemi shumë nevojë që të shprehim të gjithë gadishmërinë, të shprehim të gjitha mundësitë, të shprehim të gjitha shanset që ne kemi që së bashku me përfaqësues të biznesit, së bashku me përfaqësitë diplomatike, së bashku me pushtetin lokal, së bashku me aktorët dhe faktorët e interesuar në këtë fushë, të bëjmë një promovim sa më të gjerë të mundësive ekselente që turizmi ka në vendin tonë.
Jemi në fazat e para të transformimit të industrisë së turizmit nga industri shërbimesh në industri e cila prodhon para dhe e shikoj me shumë vëmendje dhe me shumë dëshirë këtë aktivitet të sotëm ku realisht një kompani e cila afron shërbimin e transportit, krijon besim në filozofinë tonë për zhvillimin e turizmit dhe vazhdon të investojë në një treg goxha të vështirë të zhvillimit të industrisë detare.
Prandaj falenderoj mikun e vjetër të qytetit të Durrësit edhe të këtij biznesi z. Rosi në Shqipëri dhe po ashtu të gjithë ju që keni marrë pjesë në këtë biznes goxha të kohës dhe padyshim goxha të rëndësishëm për zhvillimin e transporit detar ndërmjet dy vendeve tona.

