Ministria Manastirliu takon personat me aftësi të kufizuar: Lehtësim procedurave të KEMP
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Nuk do të ketë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar
Në një takim të organizuar me personat me aftësi të kufizuar, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgerta Manastirliu, dëgjoi kërkesat për përmirësimin e shërbimeve social shëndetësore për personat që i përkasin kësaj kategorie.
“Në 100 ditë heqim barrierat për marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi, duke lehtësuar procedurat burokratike. E nisëm me kartën e shëndetit, vërtetimin e pensionit dhe librezën shëndetësore. Kemi nisur punën për lehtësimin e procedurave të KEMP-it për personat me aftësi të kufizuar. Nuk do të ketë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar, por po vlerësojmë heqjen e disa hallkave, për t’ua lehtësuar kalvarin e mundimshëm qytetatëve”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgerta Manastirliu.
Nga lehtësimi i procedurës së KEMP-it, synohet që të përfitojnë rreth 130 mijë persona me aftësi të kufizuar. Një nga shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar ishte vështirësia që hasin në marrjen e shërbimeve në nivel lokal. Për këtë ministria Manastirliu, siguroi grupet e interesit se, me bashkimin e dy sektorëve, atë të Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë, do të integrohen më mirë shërbimet social-shëndetësore dhe do t’ju shërbehet më shpejt qytetarëve.


