Mirditë, vritet biznesmeni Kastriot Reçi

Kastriot Reçi

Një atentat është kryer sot në qytetin e Rrëshenit. Biznesmeni dhe ish-aksioneri i televizionit lokal, “Media plus TV” në Mirditë, Kastriot Reçi, është ekzekutuar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur paraditen e kësaj të marte, rreth orës 11:00, në qendër të qytetit të Rrëshenit, përballë lokalit në pronësi të viktimës.

Policia ka ngritur postoblloqe në rrugët dalëse të qytetit të Rrëshenit. Ndërkohë që ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe autorët. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave. Sipas të dhënave të para, dyshohet se vrasja është krye me snajper.

Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen, Mirditë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/ëve“,- thuhet në njoftimin paraprak të Policisë së Shtetit për ngjarjen.

Dy vite më parë Kastriot Reçi kishte humbur edhe vëllain e tij, Gasper Reçi. Ky i fundit u vra në Romë të Italisë. Gaspër Reçi u vra mbrëmjen e 28 prillit të vitit 2017 në Romë të Italisë. 43-vjeçari u qëllua me katër plumba rreth orës 23:30 të 28 prillit nga një makinë, teksa ishte duke ecur drejt banesës së tij në rrugën Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet nuk u identifikua asnjë autor i dyshuar për vrasjen.

AMA: Kastriot Reçi ortak në ‘M+’, televizionit iu hoq liçensa në 2018

Autoriteti i Mediave Audiovizive deklaroi se 47-vjeçari Kastriot Reçi që u vra sot në Rrëshen nuk rezulton të jetë pronar televizioni. “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), shpreh keqardhje për humbjen e jetës së shtetasit Kastriot Reçi dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. AMA në përgjigje të interesit publik, sqaron se shtetasi Kastriot Reçi nuk rezulton të jetë pronar i asnjë televizioni apo subjekti tjetër. Kastriot Reçi ka qenë ortak i televizionit “M+”, të cilit i është hequr licenca me vendim Bordi të AMA-s në vitin 2018”,- thuhet në deklaratën e AMA-s.

VIDEO/Pamje nga vendi ku ndodhi atentati

Policia: 2 mln lekë shpërblim për çdo informacion për kapjen e autorit të vrasjes

Policia vë në dispozicion  2 milionë lekë shpërblim për çdo informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit të vrasjes së biznesmenit Kastriot Reçi në Mirditë. Në një komunikatë për mediat Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë njofton se kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm. Ndërkohë kontrollet e policisë për kapjen e autorit janë shtrirë në të gjithë veriun.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rrëshen, Mirditë, ku në rrethana ende të paqarta u vra me armë zjarri shtetasi K. R., 47 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për çdo informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vendndodhjen e autorit vë në dispozicion shumën 2 milionë lek të rinj. Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në komunikatën për mediat bëhet me dije se “për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit. Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve. Ndërkohë, është bashkëpunuar me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, për të shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar”.

SHKARKO APP