Mos ma prek Vjosën! Artistë dhe studiues në protestë
Me një qëllim të vetëm, të mbrojmë Vjosën, artistë të njohur shqiptarë janë bërë bashkë për të çuar deri në fund këtë kauzë. Bashkë me personalitete në fushën e studimeve mbi mjedisin, ata kërkojnë që të anulohet çdo licencë për shfrytëzimin e ujërave të Vjosës, për të shmangur katastrofat mjedisore.
Artistë të njohur dhe personalitete në fushën e studimeve mbi mjedisin dhe lumenjtë janë bërë pjesë e një fushate për të ndërgjegjësuar komunitetet lokale dhe qeverinë për mbrojtjen e Vjosës.
Nga Tepelena, grupi i artistëve bëri thirrje për të mbrojtur një nga pasuritë e vyera të zonës, siç është Vjosa, një lumë deri tani pa ndërhyrje dëmtuese që ndikojnë në ekosistemin e tij.
Artistët kundërshtuan lëshimin e 8 licencave për shfrytëzimin e ujërave të Vjosës në funksion të hidrocentraleve.
Nën sloganin “Mos ma prek Vjosën” koncerti sensibilizues me pjesëmarrjen e shumë artistëve shqiptarë në Tiranë, më 18 Tetor, do të finalizojë një fushatë të gjerë sensibilizuese për mbrojtjen e Vjosës dhe ekosistemit të saj natyror.


