Mosfunksionimi në Ballkan, a duhen shtetet kombëtare?
Ngjarjet e fundit në Ballkan, pasiguria dhe shtete të dobëta, kanë qenë disa nga diskutimet mbi editorialin e titulluar “Mosfunksionimi në Ballkan”. Revista politike për çështjet e jashtme “Foreign Affairs” përmes analistit Timothy Less, ka theksuar ndër të tjera, se duket se shtetet multietnike janë të vështira të funksionojnë në këtë pjesë të Europës.
Kjo sepse, në Bosnjë, boshnjakët, serbët dhe kroatët nuk janë duke gjetur një paqe të mundshme së bashku, në Maqedoni është duke u bërë thirrje për federalizimin e vendit dhe kërkimin e vetëqeverisjes për shqiptarët. Në Kosovë, pakica serbe është duke këmbëngulur për krijimin e një rrjeti të enklavave vetëqeverisëse me pavarësi efektive nga Prishtina zyrtare.
Në Luginën e Preshevës, që gjendet në territorin e shtetit të Serbisë, shqiptarët gjithashtu duan të vetëqeverisen. Në Mal të Zi, shqiptarët janë duke kërkuar që si etnitet të kenë vetëqeverisje. Në Kosovë dhe në Shqipëri, nacionalistët duan që të kenë një shtet të tyrin kombëtar, pa pasur një kufi ndarës në mes. Sipas shkrimit, është gabim që të anashkalohen ndjenjat patriotike të ballkanasve, duke filluar nga shqiptarët.
Kështu, shpërfillen ndjenjat kombëtare, duke krijuar shtete multietnike, të cilat madje të krijuara kështu nga ana e Perëndimit, kanë qenë thuajse të dështuara. Perëndimi mund të përballet me kërkesat për zgjidhje në mënyrë etnike dhe kështu edhe rreziku mund të jetë më i pakët.
Një ide e bukur
Kur Jugosllavia u shpërbë në fillim të viteve 1990, atë që pasoi më shumë e ka përcaktuar Perëndimi. Ishin pikërisht shtetet perëndimore, ato që nuk lejuan shfaqjen e shteteve kombëtare, por se vendosën që të krijohen shtetet multietnike. Kjo gjë bie ndesh me një pjesë të madhe të elektoratit, që do shtete me kufi kombëtarë. Multietniciteti ishte parë si mënyrë e stabilitetit në Ballkan, por se kjo ide duket se nuk po ecën sa duhet.
Periudha e shteteve kombëtare mund të ndryshojë situatën, një ide e bukur, që ndoshta mund të kthejë edhe vende më të mira. Kjo gjë do të bënte të mundur edhe mosshtypjen e pakicës etnike, në disa shtete ballkanike, të cilët janë trajtuar si “qytetarë të dorës së dytë”.

