Ndahet nga jeta shkrimtari Resul Bedo

Ka ndërruar jetë sot në moshën 91-vjeçare shkrimtari dhe publicisti i njohur Resul Bedo.

Resul Bedo është një nga intelektualët dhe autorët që ja kushtoi jetën e tij krijuese Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ai është autori i përmbledhjes për gjithë dëshmorët e LANÇ, “Yje të Pashuar”, një nga botimet më serioze për 28 mijë dëshmorët e luftës.

Ky botim, por edhe dhjetëra libra dhe mijëra artikuj të tjerë letrarë dhe studimorë bënë që Bedo të njihej si “biografi i 28 mijë dëshmorëve”. Krijimtaria e tij numëron rreth 120 vepra, mes të cilëve; romane, novela, vëllime me tregime.

Resul Bedo nuk është vetëm biografi të dëshmorëve, por edhe një prej pjesëmarrësve aktiv në Luftën Nacional Çlirimtare. Ai lindi në vitin 1926 në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës. Në moshën 15-vjeçare, ishte nga të parët që u rreshtua në çetën “Çerçiz Topulli”, më pas në batalionin “Asim Zeneli” dhe më vonë në Brigadën e 6 Sulmuese. Gjatë luftës mori pjesë dhe në betejat në Jugosllavi. Ndërsa pas çlirimit të vendit do të ishte nga ushtarakët që morën pjesë në përballjet me Greqinë gjatë provokacioneve në kufi, më vitin 1948.

Krijimtarinë e tij e nisi që në moshë të re në botimet e shtabeve të ushtrisë, për tu bërë më pas një nga autorët më të spikatur të historisë së luftës dhe heronjve të saj.

Ceremonia e varrimit të shkrimtarit dhe veteranit Resul Bedo do të zhvillohet sot në varrezat e Tufinës në Tiranë.

Disa nga librat e Resul Bedos

“Yje të pashuar”

“Çlirimi i Shkodrës”

“Gjurmë të ndezura”

“100 episode partizane”

“Në zemër të maleve”

“Shtegtim I largët”

“Divizioni vi “sulmues” në fletët e një ditari”

SHKARKO APP