Ndërtimet në Butrint, Manjani: Ministria i shërben ligjit të sallamit
Skandali në Butrint, ku prej disa ditësh kanë nisur punimet për ndërtimin e një ambienti biznesi, për më tepër që po bëhet beton në një zonë të mbrojtur nga ligjet e shtetit shqiptar, por edhe nga UNESCO.
Deri më tani Ministria e Kulturës nuk ka reaguar por për ish-Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, në Butrintin historik, janë bërë bashkë një prodhues sallami dhe një bërës ligji.
”Bërësi i sallamit tregon qartësisht sa mizor është me historinë dde trashëgiminë. Fundja Ai s’ka faj se atë detyrë ka: të bëjë sallam me çfarëdo lloj mishi! Bërësi i ligjit, që ka detyrë edhe ta zbatojë, bën gjëmën duke lejuar tymosjen e Butrintit me sallam”,-shkruan Manjani.
Më tej Manjani thekson se Ministria e Kulturës ka detyrë të zbatojë ligjin, por me ironi ish-ministri shkruan për ligjin e bërjes sallam të trashëgimisë historike. ”Ajo tashmë i shërben ligjit të sallamit dhe jo ligjit të Shtetit! Fundi është: Butrinti me histori e origjinë nga koha e Homerit përfundon tek ligjet e Hakos! Na bëftë mirë”,-vijon Manjani.
Statusi
Një shprehje e vjetër thotë se: “sallamin dhe ligjin mirë është të mos e dish se si bëhen”! Saktësinë e vërtetësinë e kësaj shprehje e gjeni sot në Butrint. Një prodhues sallami dhe një bërës ligji bëhen bashkë në kurriz të një perle historike si Butrinti.
Bërësi i sallamit tregon qartësisht sa mizor është me historinë dhe trashëgiminë. Fundja Ai s’ka faj se atë detyrë ka: të bëjë sallam me çfarëdo lloj mishi! Bërësi i ligjit, që ka detyrë edhe ta zbatojë, bën gjëmën duke lejuar tymosjen e Butrintit me sallam.
Aty në Butrint jua doli boja të dyve. Edhe atij që prodhon e shet sallam por edhe atij që prodhon e shet ligje! Të dy ja shesin produktet e tyre miletit! Ky i fundit vetëm i ha këto produkte.
Ministria e Kulturës mesa duket ka detyrë të zbatojë ligjin e bërjes sallam të trashegimisë historike. Ajo tashmë i shëben ligjit të sallamit dhe jo ligjit të Shtetit! Fundi është: Butrinti me histori e origjinë nga koha e Homerit përfundon tek ligjet e Hakos! Na bëftë mirë!

