Ndryshimet e reja në qeveri, lëvizje pozitive e Ramës

Nga Lindita Kokoli

Sot kryeministri Rama ka bërë disa lëvizje surprizë në qeveri. Jo pak, por disa ministra janë krejt të rinj dhe të paakuzuar politikisht apo nga drejtësia.

Ministër i financave Ervin Mete, Ministër i Pushtetit Vendor Arbian Mazniku, Ministër i jashtëm Igli Hasani dhe Ministër i Shendetësisë Albana Koçiu. Këta janë emrat jopolitik.

Të katërt janë emra të spikatur në fushat e tyre dhe me një CV e kulturë perëndimore. Në fakt nga të katërt bie në sy lëvizja e Arbjan Maznikut nga nënkryetar i Bashkisë së Tiranës direkt ministër i Pushtetit Vendor. Mazniku ishte krahu i djathtë për Erion Veliajn në Bashki. Por me sa duket kryeministri gjithë emrat e rinj potencialë dhe me karizëm, siç është Arbjan Mazniku, po i afron nga pak e përditë në qeveri e mundet më pas në kupolën e PS-së.

Brenda këtij viti do të jetë Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS-së, ku priten ndryshime të mëdha në emrat për në Asamblenë Kombëtare të PS.

Pra Edi Rama nisur edhe nga akuzat e skandalet e fundit në qeverisje, ku kërkohet për tu arrestuar ish-numri dy në qeveri, Arben Ahmetaj, po mundohet të bëjë makiazh, aqsa mundet pas 10 vite qeverisje si forcë politike.

Po kështu edhe kalimi në drejtimin e ministrisë së shendetsisë i Albana Koçiut, një specialiste e mirëfilltë teknike dhe jo njeri politik, jep shtysë idesë se kryeministri po synon rifreskim të emrave në kabinet. Ndërkohë Ogerta Manastirliun, një minister kompetente dhe profesioniste, e ka çuar në drejtimin e ministrisë së Arsimit. Në fakt Manastirliu kaloi me sukses provën e pandemisë së Covid.

Opozita i quan këto lëvizje në kabinet si lëvizje të sforcuara në një kabinet të korruptuar.

“Korrupsioni, i cili qëndron në themelet e kësaj qeverie, do të vazhdojë të gërryejë mirëqenien në çdo familje shqiptare. Nuk ka pikën e rëndësisë se cilin ministër ndryshon Edi Rama. Është thjesht një makiazh për fytyrën e kalbur nga korrupsioni të kryeministrit”, shkruan Gazment Bardhi.

SHKARKO APP