“Nënë Heroinë”, titulli i nderit për ato që edukonin 12 fëmijë
Sipas dekreti të Kuvendit Popullor të viteve ’50, titulli i nderit “Nënë Heroinë”, iu jepej nënave që kanë lindur, rritur dhe edukuar mirë 10 fëmijë e lart. Në Tropojë janë me dhjetëra nëna që kanë lindur mbi 10 fëmijë dhe para viteve ’90 janë dekoruar me këtë titull.
Ndonëse ky dekret është edhe sot e kësaj dite në fuqi, pasi nuk është shfuqizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në vitet e demokracisë nuk u aplikua kurrë. Duke shfletuar shtypin lokal të kohës, lexojmë se vetëm në vitin 1988, në Tropojë janë dekoruar me medaljen “Nënë Heroinë”, 9 gra që kanë lindur dhe kanë gjallë deri në 12 fëmijë, si Lulë Muslia, Ajman Muhametaj, Cymë Sadikaj, Ajshe Lamaj, Feride Hoxha, Zade Sulaj,Zade Haklaj, Neslie Gjura dhe Mire Doshlani.
“Nëna Heroinë” të shpallura dhe të dekoruara nga Kuvendi Popullor janë Kune Brah Lauka dhe Shkurtë Sadri Koka, motra e “Heroit të Popullit” Ramë Sadri Metaliaj, e cila ka rritur dhe edukuar 9 fëmijë.
Po kështu edhe Lauka ka rritur 12 fëmijë, të gjithë të shkolluar, madje Islam Lauka është përfaqësues i shtetit amë në Kosovë e një nga intelektualët e shquar të Tropojës, dhe jo vetëm. E ndër nënat e pashpallura heroina janë Lina dhe Liza nga Lekbibaj, të cilat kanë lindur dhe rritur nga 12 fëmijë në vitet postdiktaturës, dy Hotmanat, njëra nga Fushë-Lumi, Margegaj dhe tjetra nga qyteti i Bajram Currit, që kanë lindur e rritur nga 9 fëmijë.
(Kur po shkruaja këto radhë m’u kujtua nëna ime, ndjesë pastë, kur shpesh më tërhiqte vemendjen për të lindur sa më shumë fëmijë. Një herë, kur po shkonim te stanet në bjeshkë, pushuam te Kryqi i Fagut, e më tha: “Biro, Zoti ka krijue këtë tokë për të lindun e për të vdekun. Duhet lindun sa ma shumë që të vdesin sa ma pak. Mrekullia e botës asht ky kryq i ndërtue prej Perëndisë… Unë, -përfundoi ajo, – kam lindun e rritë 8 fëmijë, e shpesh para daljes në jetë të fëmijëve të mi, falesha te Kryqi i Fagut).
Tradita e lindjes së nënave mbi 10 fëmijë ka vazhduar edhe pas viteve ’90, ndonëse edhe në zonat rurale po zbatohej planifikimi familjar, në kundërshtim me doket dhe zakonet e këtyre krahinave të veriut.
Duke hulumtuar për këto veçori interesante të këtyre nënave, “zbuluam” një personazh, një nënë që ka lindur e rritur 14 fëmijë, më të voglin në shkollën fillore, mbase rast i veçantë sot në Shqipëri, për t’u futur edhe në librin Gines. Ajo është nënë Zadja, heroina e pashpallur.
Në fshatin Rosujë, të komunës Bujan, ku njihet sidomos për “virgjinat” që kanë lindur, rritur dhe jetuar aty, ndonëse tashmë janë larguar nga vendlindja drejt qendrave urbane të metropolit shqiptar për një jetë më të mirë, duke braktisur përfundimisht vendlindjen, jeton “Nëna Heroinë” Mire Doshlani.
Nënë Mirja tani është në moshën e pleqërisë dhe shtyn vitet me nipërit dhe mbesat e djalit të vogël, sipas zakonit të këtyre anëve. Ajo është tepër fisnike, bujare dhe me një konstrukt për ta pasur zili edhe nuset e reja. Kur e pyesim për planifikimin familjar, ajo përgjigjet shkurt: jeta është e ëmbël, prandaj nëse doni ta shijoni, fëmijët janë ëmbëlsira e saj. Por, – vijon Mirja, – edukimi i fëmijëve është detyrë sa fisnike, aq madhore për një shoqëri.
Kur i pyesim këto nëna për vështirësitë e rritjes së fëmijëve, ato kujtojnë vitet e shkuara të jetës së vështirë, e nuk pranojnë të flasin shumë, as të fotografohen… “Zgjohesha në ora pesë të mëngjesit, – kujton njëra prej tyre, tashmë rreth të 70-ave. – Bëja punët e shtëpisë, ktheja mëngjes për 10 fëmijë, se të gjithë ishin të vegjël, e pastaj në ora 7 pa një çerek paraqitesha në punë.
Të gjitha punët e shtëpisë i bëja vetë, duke qenë vazhdimisht “zonja e shtëpisë” e në kushte të vështira jo vetëm ekonomike, por edhe shtëpiake. Në vitin 1988 shpallem “Nënë Heroinë”. Në fakt prisja që medaljen ta shoqëronin me ndonjë stimul material, lekë apo veshmbathje për fëmijët, por as që bëhej fjalë. Kështu ishin rregullat e kohës, me stimuj moralë”.
Dyert e përmendura në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) kanë lindur e rritur shumë fëmijë, duke u bërë familje të mëdha të njohura. Patrioti Niman Sylë Doçi ka rritur 10 fëmijë. Nga fisi i tij janë sot mbi 100 meshkuj të shpërndarë nëpër botë, duke gëzuar respekt ndaj kujtdo që i njeh sadopak si pasardhës të fisit të Niman Sylë Doçit. Ne qëmtuam disa syresh, po në Tropojë ka pasur edhe nëna të tjera që kanë lindur e rritur deri në 12 fëmijë. Sot, për nuset e reja të këtyre anëve, “nënat heroina” janë ëndrra të së shkuarës.
KOHA JONË SONDAZH

