“New York Magazine”: Prapaskenat e “The Odyssey”: Nga Homeri tek iso-polifonia shqiptare

“The Odyssey” nuk është vetëm filmi më madhështor i Nolanit për nga përmasat, por ndoshta edhe më i heshturi dhe më melankoliku. Ai vazhdon atmosferën e dëshpërimit psikologjik dhe qytetërues që karakterizonte edhe filmin e tij të mëparshëm, “Oppenheimer”, fitues i çmimit “Oscar”. Të thuash më shumë, do të zbulonte tepër nga historia. Nga prapaskenat e këtij filmi, zbulohen detaje për hapat e parë, teknikën, sfidat e deri te muzika që prek iso-polifoninë shqiptare e tinguj fyelli
Si mund ta rrëfehet sërish një histori që është treguar mijëra herë më parë?
Kur vendosi të sjellë në ekran “Odisenë” e Homerit, Christopher Nolan ishte plotësisht i vetëdijshëm për atë që ai e quan “problemi i tekstit burimor”: kur një histori është aq e njohur dhe ka ushtruar një ndikim kaq të madh, saqë publikut modern origjinali mund t’i duket i konsumuar ose thjesht një version i hershëm i shumë veprave që kanë ardhur më pas.
Poema epike daton prej shekullit VIII ose VII para erës sonë dhe ka ndikuar në kulturën botërore për gati tre mijëvjeçarë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për superproduksionet e mëdha të studiove filmike, Nolan mendon se ekziston një mungesë e habitshme.
“Zhanri i mitologjisë greke, në fakt, pothuajse nuk ekziston në kinematografi”, thotë ai.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur përpjekje.
“Hollywoodi ka realizuar filma të jashtëzakonshëm për periudhën klasike të antikitetit, por vizualizimi i elementeve më mitike iu besua mjeshtërve si Ray Harryhausen”, thotë Nolan, duke iu referuar pionierit të animacionit “stop-motion”, autor i filmave tashmë klasikë “Jason and the Argonauts” (1963) dhe “Clash of the Titans” (1981). “Për një kohë të gjatë nuk ekzistonin mundësitë teknike për të realizuar një film të tillë, duke i dhënë një historie fantazie të njëjtën peshë dhe besueshmëri që i jepet një historie realiste”.
Sipas tij, filmat “The Lord of the Rings” të Peter Jacksonit shënuan momentin kur fantazia fitoi vendin e saj në mesin e superproduksioneve ambicioze.
“Teknologjia duhej të evoluonte”, shprehet Nolan. “Ajo që pashë tek ‘Odiseja’ ishte një boshllëk që ende nuk ishte mbushur”.
Por ky boshllëk nuk lidhet vetëm me efektet vizuale të nevojshme për të sjellë në jetë krijesa mitike si, ciklopët apo skila. Nolan synonte t’i zhyste shikuesit në botën e Homerit dhe t’u ofronte një përvojë sa më fizike dhe të prekshme.
Filmi hapet me fjalët: “Është një kohë e magjisë së dukshme”. Megjithatë, kjo nuk është një botë magjike në kuptimin klasik; është një botë konkrete, e ndjeshme dhe zhytëse, ku magjia thjesht ekziston si pjesë e realitetit.
Po aq befasuese është edhe intimiteti i filmit. “The Odyssey” nuk është vetëm filmi më madhështor i Nolanit për nga përmasat, por ndoshta edhe më i heshturi dhe më melankoliku. Ai vazhdon atmosferën e dëshpërimit psikologjik dhe qytetërues që karakterizonte edhe filmin e tij të mëparshëm, “Oppenheimer”, fitues i çmimit “Oscar”.
Të thuash më shumë do të zbulonte tepër nga historia. Mjafton të thuhet se, si shumica e filmave të Nolanit, edhe “The Odyssey” ndërtohet drejt një kulmi tronditës, i cili ndryshon mënyrën se si e kuptojmë pothuajse gjithçka që kemi parë deri në atë moment.
Të shkruash një histori dashurie për moshën e mesme
Nolan kujton një skenë nga filmi “Oppenheimer” që i mbeti gjatë në mendje dhe që, sipas tij, ndikoi në vendimin për të realizuar “The Odyssey”. Është një plan i gjerë ku Cillian Murphy dhe Emily Blunt kalërojnë mbi një kreshtë në New Mexico, ndërsa mbi ta grumbullohen re të dendura stuhie. Në formatin IMAX, ajo pamje dukej mahnitëse.
“Ajo që IMAX di të bëjë më së miri është të të tregojë fuqinë e natyrës, si përmes figurës ashtu edhe përmes zërit”, thotë Nolan. “Për mua, kjo ishte mënyra ideale për të përfaqësuar hyjnoren në një mënyrë bindëse. Nëse hipën në një anije të vërtetë dhe del në Mesdhe në periudhën më të papërshtatshme të vitit, ku dallgët të përplasin pa mëshirë dhe shiu të godet nga anash, atëherë e ndien sa të brishtë janë këto personazhe, plotësisht në mëshirën e forcave që janë shumë më të mëdha se vetë ata”.
Perëndia e vetme që shfaqet në filmin e Nolanit është Athena, e interpretuar nga Zendaya, e cila i shfaqet vetëm Odiseut. Regjisori tregon se kishte menduar t’i paraqiste perënditë në një mënyrë më të drejtpërdrejtë, por më pas hoqi dorë nga kjo ide.
“Për mua, paraqitja e perëndive si figura të largëta që lëvizin njerëzit si gurë shahu, apo mënyra të tjera që kemi parë më parë, krijonte distancë me publikun”, shprehet ai. “Nuk bëhet fjalë për realizëm, por për t’i parë perënditë ashtu siç do t’i kishin parë vetë këta personazhe”.
Kur Odiseu e pyet Athinën pse perënditë nuk flasin në mënyrë që njerëzit e zakonshëm t’i kuptojnë, ajo përgjigjet: “Kush nuk e kupton bubullimën apo zjarrin?”
Fjalët e saj tingëllojnë si vetë filozofia artistike e Nolanit.
Regjisori kujton pak nga takimi i tij i parë me “Odisenë”. Ishte vetëm pesë ose gjashtë vjeç, kur pa disa nxënës më të rritur të interpretonin një adaptim teatror të veprës në shkollën fillore. Kur nisi punën për filmin, fillimisht shkroi gjithçka që mbante mend nga historia, përpara se ta rilexonte poemën. Pasi studioi disa përkthime të ndryshme, ai iu qas skenarit në të njëjtën mënyrë siç kishte bërë me “Oppenheimer”, i cili bazohej në një biografi voluminoze të fizikanit J. Robert Oppenheimer.
“E lashë tekstin plotësisht mënjanë dhe u përpoqa të shkruaja vetëm nga kujtimet dhe përshtypjet që më kishte lënë leximi”.
Rezultati, sipas tij, ishte një histori tokësore, intime, aktuale dhe lehtësisht e qasshme.
Nolan thotë se në kulturën tonë ekzistojnë në fakt dy Odise. E para është ajo që shumica e njerëzve njohin: udhëtimi shumëvjeçar i Odiseut, i interpretuar nga Matt Damon, pas përfundimit të Luftës së Trojës drejt mbretërisë së tij në Itakë. Gjatë këtij udhëtimi ai përballet me gjigantë, përbindësha, stuhi, magjistare dhe hyjni të zemëruara — një varg ndërveprimesh ikonike që kanë frymëzuar vepra të shumta, nga “2001: A Space Odyssey” i Stanley Kubrickut, “O Brother, Where Art Thou?” i vëllezërve Coen, e deri te “Kill Bill: The Whole Bloody Affair” i Quentin Tarantinos.
Por ekziston edhe një histori tjetër: ajo që ndodh në Itakë gjatë mungesës së Odiseut. Penelopa, e interpretuar nga Anne Hathaway, përpiqet të mbajë larg dhjetëra pretendentë që synojnë fronin, ndërsa djali i tyre tashmë i rritur, Telemaku, i interpretuar nga Tom Holland, niset në kërkim të së vërtetës për fatin e babait të tij.
“Njerëzit ndonjëherë harrojnë se ky aspekt i rritjes dhe pjekurisë së Telemakut është shumë më i rëndësishëm për Odiseun sesa mendohet zakonisht”, thotë Nolan.
Edhe ai dhe bashkëshortja e tij, producentja Emma Thomas, e ndien këtë dimension të historisë shumë pranë vetes.
“Në fund të fundit, kjo është një histori dashurie mes dy njerëzve në moshën e mesme”, thotë ai me nostalgji. “Dhe tani, edhe unë me Emmën jemi në fazën kur fëmijët tanë janë larguar nga shtëpia”.
Catwoman, Jason Bourne dhe Spider-Man në botën e Odiseut
Në qendër të filmit janë interpretimet e Matt Damon në rolin e Odiseut dhe Anne Hathaway si Penelopa, e cila prej 20 vjetësh pret kthimin e bashkëshortit të saj, pa e ditur nëse ai është ende gjallë apo ka vdekur.
Për aktoren amerikane, ky është një rol me ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale. Edhe pse mbart dinjitetin dhe autoritetin e një mbretëreshe, ajo shpesh flet me zë të ulët, thuajse pëshpërit, duke u përpjekur të mos tradhtojë dëshpërimin që sa vjen e shtohet përballë pretendentëve që kanë pushtuar pallatin, të vendosur t’ia rrëmbejnë fronin djalit të saj dhe të marrin nën kontroll mbretërinë.
“E dija se Anne ishte zgjedhja e duhur për këtë rol”, thotë Nolan. “Penelopa është mbretëreshë dhe gjatë gjithë kohës duhet të projektojë forcë dhe autoritet. Por, në të njëjtën kohë, publiku duhet të arrijë të shohë njeriun që fshihet pas atij imazhi. Interpretimi duhej të mbështetej pikërisht mbi këtë ekuilibër”.
Në mënyrë disi të pazakontë, regjisori e krahason këtë rol me interpretimin e Hathawayt si Catwoman në filmin e tij “The Dark Knight Rises”, njëherësh bashkëpunimi i tyre i parë. “Në pamje të parë, Catwoman dhe Penelopa nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët. Megjithatë, të dyja janë figura ikonike, më të mëdha se vetë jeta, dhe sfida është të depërtosh përtej atij imazhi”.
Edhe Telemaku interpretohet nga një aktor i njohur për filmat me superheronj. Nolan prej kohësh kishte adhuruar interpretimet e Tom Holland si Peter Parker në filmat e “Marvelit”.
“Ai ka aftësinë ta përfshijë publikun në dilemën e personazhit, në formën se si mendon dhe ndien, në një mënyrë jashtëzakonisht të natyrshme dhe tërheqëse”.
Sipas Nolanit, Holland – sot 30 vjeç, por ende shpesh i zgjedhur për role shumë më të rinj në moshë – solli kombinimin ideal të pafajësisë dhe pjekurisë që kërkon historia e Telemakut, i cili gjatë filmit shndërrohet nga një djalosh në një burrë.
“Nuk e di sinqerisht çfarë do të kisha bërë nëse ai nuk do të kishte mundur të ishte pjesë e filmit”, deklaron Nolan.
Besimi ishte reciprok. Për të marrë pjesë në “The Odyssey”, Holland arriti madje të bindte producentët e filmit “Spider-Man: Brand New Day” që të shtynin fillimin e xhirimeve, në mënyrë që ai të mund të bashkohej me projektin e Nolanit.
Natyrisht, roli më i madh i takonte Matt Damonit. Edhe pse kishte luajtur më parë në dy filma të regjisorit ikonik, kjo ishte hera e parë që ai mbante mbi supe-rolin protagonist.
“Odiseu ka tiparet e një personazhi dytësor, jo të një protagonisti klasik”, shpjegon Nolan. “Po të ishte pjesë e universit të ‘Star Wars’, ai do të ishte Han Solo, jo Luke Skywalker. Mbiemri që përdoret zakonisht për ta përshkruar atë është ‘dina’”.
Megjithatë, Odiseu duhej të zgjonte edhe empati te publiku. “Një nga cilësitë më të mëdha të Mattit është se në ekran ai të jep ndjesinë e një njeriu të zakonshëm dhe të arsyeshëm”.
Regjisorë të ndryshëm e kanë shfrytëzuar ose e kanë përmbysur me vetëdije këtë tipar. Edhe vetë Nolan e kishte bërë më parë në filmin “Interstellar”, ku Damon interpretonte një shkencëtar që fillimisht dukej mirënjohës, por më pas tradhton misionin kryesor.
“Matt di ta luajë jashtëzakonisht mirë njeriun e zakonshëm, qoftë te ‘The Martian’ apo ‘We Bought a Zoo’. Por ai është njëkohësisht edhe Jason Bourne. Dhe Odiseu duhet të jetë të dyja këto figura njëherësh: një njeri me të cilin publiku mund të identifikohet dhe, njëkohësisht, një hero legjendar”.
Damon pati pothuajse gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht për rolin, i cili përfshin afro dy dekada të jetës së Odiseut dhe skena të shumta ku ai dhe njerëzit e tij luftojnë me urinë në mes të detit.
“Nolan donte që të dukesha i dobët, por i fortë; si një luftëtar i kalitur nga betejat, i cili megjithatë nuk do ta refuzonte kurrë një vakt ushqimi nëse do t’i jepej mundësia”, thotë ai.
Kjo e ndihmoi aktorin të mbante një formë fizike të qëndrueshme gjatë gjithë xhirimeve.
“Më parë gjithmonë pyesja: ‘Në cilën ditë të xhirimeve duhet ta heq këmishën’. Pastaj stërvitesha për atë moment. Por në këtë rast, thjesht doja që të dukej konsistente gjatë gjithë kohës. Doja që të dukej si trupi im”, thotë aktori.
Ashtu si tek “Oppenheimer”, ku një numër i madh aktorësh të njohur morën role dytësore, edhe “The Odyssey” mbështetet në një kast mbresëlënës emrash të njohur, edhe kur paraqitjet e tyre në ekran janë të shkurtra.
Lupita Nyong’o interpreton njëkohësisht Helenën e Trojës dhe motrën e saj binjake, Klitemnestrën. Sipas saj, Nolan ia përshkroi rolin si “të vogël në kohëzgjatje, por me ndikim të madh”.
As Helena dhe as Klitemnestra nuk qëndrojnë gjatë në ekran – kjo e fundit shfaqet vetëm në disa fragmente – por të dyja lënë gjurmë të forta. Vendimi për t’i paraqitur si motra binjake, në vend të motrave nga i njëjti baba siç përshkruhen tradicionalisht, krijon një lidhje emocionale më të fortë mes tyre.
“Nuk besoj se ekziston një mënyrë e vetme e saktë nga ana dramaturgjike për ta interpretuar këtë rol”, thotë Nyong’o. “Kush është Helena përtej bukurisë së saj? Një grua është shumë më tepër sesa pamja e jashtme dhe është e vështirë të interpretosh vetë bukurinë”.
Aktorja tregon se ndërtimi i personazheve ishte një proces thellësisht bashkëpunues, ku ajo punoi ngushtë me ekipet e grimit, flokëve dhe sidomos të kostumografisë.
“Po paraqesim një periudhë historike për të cilën ekzistojnë shumë pak referenca vizuale dhe, njëkohësisht, po ndërmarrim dhe disa liri artistike. Chris ishte shumë i hapur ndaj ideve të mia për mënyrën se si duhej të dukeshin Helena dhe Klitemnestra”.
Edhe disa personazhe të tjera u zgjeruan ndjeshëm krahasuar me poemën origjinale.
“Një nga boshllëqet më interesante të poemës është marrëdhënia mes Odiseut dhe njerëzve të tij”, thotë Nolan. “Ti lexon për ngjarje tragjike që u ndodhin këtyre luftëtarëve, por ata vetë nuk zhvillohen si personazhe”.
Për ta plotësuar këtë mungesë, regjisori i dha më shumë peshë Eurilokut (i luajtur nga Himesh Patel), zëvendëskomandantit të Odiseut. Në poemën e Homerit ai është një figurë relativisht njëdimensionale, ndërsa në film shndërrohet në një bashkëbisedues të rëndësishëm, një shok me të cilin Odiseu diskuton vendimet dhe dilemat e tij. Nolan solli në film edhe personazhe që nuk shfaqen fare në histori.
Në fillim të filmit, gjatë episodit të Kalit të Trojës, shfaqet Sinon (portretizuar nga Elliot Page), një ushtar i ri grek që nuk është pjesë e poemës së Homerit, por shfaqet në Eneidën e Virgjilit.
Edhe këtu qëllimi ishte i njëjtë: t’i jepte një fytyrë njerëzore një prej imazheve më ikonike të antikitetit.
“E dija që doja ta hapja filmin me një grup trojanësh që zbulonin Kalin e Trojës dhe më dukej shumë e rëndësishme të ekzistonte ushtari i lënë pas, i cili do t’u shpjegonte se ai ishte një dhuratë për Athinën”, thotë Nolan.
Historia e Sinonit rikthehet disa herë gjatë filmit dhe shërben për të treguar përmasat e vërteta të Luftës së Trojës. Kur bashkohet për herë të parë me ushtrinë e Odiseut, ai është ende një fëmijë.
“Kjo ngre edhe një çështje etike. Kur një luftë zgjat dhjetë vjet, në thelb po merr me vete fëmijë që rriten duke u shndërruar në ushtarë”, shpjegon Nolan.
Krijimi i një universi të jashtëzakonshëm dhe pjesërisht mesdhetar
Drejtoresha e skenografisë, Ruth De Jong, kujton takimin e saj të parë me Christopher Nolanin për këtë projekt. Regjisori vendosi para saj skenarin.
“Në kopertinë shkruante ‘The Odyssey’. Mendova me vete: ‘Jo, jo Homeri’. Në atë moment, Chris shpërtheu në të qeshura”.
Pas filmit “Oppenheimer”, për të cilin De Jong u nominua për çmimin “Oscar”, ajo mendonte se kishte marrë pjesë në një nga projektet më të mëdha të karrierës së saj. Filmi ishte xhiruar në dy shtete dhe kishte kërkuar, ndër të tjera, rindërtimin e ditëve të para të Los Alamos në New Mexico.
Por “The Odyssey” do të ishte diçka krejt tjetër.
“Le ta shohim gjithë botën”, i tha Nolani kur nisën të diskutonin vendndodhjet e mundshme të xhirimeve.
Gjatë kërkimeve mbi Epokën e Bronzit, ekipi kuptoi se sa pak dimë realisht për atë periudhë.
“Njerëzit nuk e kuptojnë sa i fragmentuar është dokumentacioni arkeologjik”, thotë Nolan.
Për këtë arsye, ai nuk dëshironte të mbështetej te paraqitjet tradicionale të kësaj epoke, si ato të pikturave romantike apo të filmave klasikë të Hollywoodit, të cilët për dekada kanë formësuar mënyrën se si e imagjinojmë botën antike.
Edhe kostumografja Ellen Mirojnick e përmbledh filozofinë krijuese të filmit: “Nuk po kërkonim të krijonim një botë historikisht të saktë. Po kërkonim një botë që të dukej e përjetshme”.
Po për këtë arsye, De Jong nuk donte që filmi të kufizohej vetëm në peizazhin mesdhetar.
“Mesdheu ka një paletë shumë specifike ngjyrash, të thatë dhe të ngrohtë. Nëse do të mbështeteshim vetëm te ajo, i gjithë filmi do të kishte të njëjtën pamje. Ne donim një udhëtim. Donim mot të ndryshëm, elemente natyrore të ndryshme, tekstura, bimësi dhe faunë nga vende të ndryshme”.
Në fund, xhirimet u zhvilluan në gjashtë shtete: Marok, Itali, Greqi, Skoci, Shtetet e Bashkuara dhe Islandë.
Një prej sfidave më të mëdha ishte gjetja e anijes së Odiseut. Produksioni zgjodhi “Draken”, një anije prej rreth 35 metrash e ankoruar në Stavanger të Norvegjisë, e cila mund të shndërrohej në një anije luftarake me shumë pak ndërhyrje.
“Kur hipëm në të dhe ndjemë përmasat e saj, kuptuam se mund të xhironim pa problem me 50 deri në 100 njerëz në bord, në mes të detit”, kujton De Jong.
Anija – e cila kishte kaluar dy herë Oqeanin Atlantik – erdhi së bashku me ekuipazhin e saj. Edhe ata u pajisën me kostume të filmit dhe trajnuan aktorët që të mësonin të drejtonin anijen në mënyrë autentike, ndonjëherë për orë të tëra. Aktorët mësuan gjithashtu të ngrinin velat dhe të kryenin punët e zakonshme të marinarëve. Kjo i lejoi Nolanit dhe drejtorit të fotografisë, Hoyte van Hoytema, t’i filmonin sikur po realizonin një dokumentar.
“Nuk jam i sigurt nëse e kuptonin plotësisht se për çfarë po incizoheshin”, thotë Nolan duke buzëqeshur. “Por kishim një grup aktorësh fantastikë, disa prej të cilëve kishin vetëm një ose dy duble”.
Edhe pasi zbritën në tokë, vështirësitë nuk mbaruan. De Jong kujton se për skenat me bariun besnik të derrave, Eumeun (luajtur nga John Leguizamo), iu desh të transportonin derra të gjallë me helikopter drejt ishullit Favignana, pranë Sicilisë. Pikërisht aty u xhirua pjesa më e madhe e skenave të jashtme të Itakës. Me shkëmbinj madhështorë dhe pamje të pafundme drejt detit, ishulli ishte mahnitës, por çdo ditë aktorët dhe ekipi duhej të ecnin rreth një orë nëpër shtigje të ngushta malore për të mbërritur në sheshxhirim.
“Por ia vlente çdo minutë. E kisha vizituar këtë vend rreth 10 ose 15 vjet më parë gjatë pushimeve. Ka një ngrohtësi të veçantë. Të krijon ndjesinë e shtëpisë. Është një vend nga i cili nuk do të largoheshe kurrë. Nëse Odiseu lufton kaq shumë për t’u kthyer këtu, atëherë publiku duhet ta ndiejë pse ky vend ka aq shumë rëndësi për të”, thotë De Jong.
Një nga mënyrat se si Nolan kërkoi ta pasuronte botën vizuale të filmit është forma se si paraqiten Lestrigonët. Në poemën e Homerit ata janë gjigantë kanibalë. Në film, megjithatë, ata shfaqen si kalorës gjigantë të mbuluar nga koka te këmbët me armatura mesjetare. Kjo skenë vjen menjëherë pas përballjes së Odiseut me Ciklopin, dhe Nolani nuk donte që publiku të përballej me dy krijesa gjigante shumë të ngjashme njëra pas tjetrës.
“Doja të krijoja ndjesinë se po hynte në një kulturë krejtësisht tjetër, të huaj dhe të panjohur. Kostumet tregojnë një teknologji krejt tjetër nga ajo që Odiseu ka njohur deri atëherë. Ata janë imponues në çdo kuptim”.
Për këtë sekuencë, ekipi kërkonte një vend ku pyjet me pisha të zbrisnin deri në breg të detit. Vendin ideal e gjetën në Skoci. Ata u nisën drejt veriut, për te plazhet e zeza vullkanike të Islandës, për të xhiruar skena që zhvillohen në Hades. Aty Odiseu takohet me hijet e të vdekurve, të cilat dalin ngadalë nga rëra.
Për Ellen Mirojnick, kjo ishte një sfidë më vete. Ajo duhej t’i vishte aktorët në mënyrë që të dukeshin sikur po materializoheshin nga vetë toka.
“Si duket ngjyra e rërës? Duhet të jetë e zezë, por kur thahet bëhet gri. Kur laget përsëri, ndryshon sërish ngjyrë. Asnjë nga këto nuk mund të përcaktohej në fazën e paraproduksionit”.
Për të, kjo përmbledh të gjithë filozofinë vizuale të filmit. “Ishte një film që duhej jetuar në terren, jo projektuar nga larg”.
Edhe elementet që duken më fantastike kanë një bazë historike. Një shembull është armatura e Agamemnonit, i interpretuar nga Benny Safdie, i cili në film ngjan pothuajse si një Batman i një universi paralel. Si komandanti suprem i ushtrisë greke, Agamemnoni shfaqet si një figurë imponuese, pothuajse djallëzore.
“Ata duhet të bëjnë më shumë kërkime arkeologjike mbi këtë teknikë”, thotë Nolan, “por nëse bronzit i shton ar dhe argjend e më pas përdor squfur, mund ta nxish. Me kalimin e kohës bronzi do të dilte përsëri në sipërfaqe, por armatura e Agamemnonit nuk do të kishte pothuajse fare shenja konsumimi, sepse ai nuk lufton vazhdimisht”.
Në të vërtetë, Agamemnoni shkëlqen në të gjitha skenat e betejës në Trojë, si një prani pothuajse mbinatyrore, ndërsa luftëtarët – përfshirë edhe Odiseun – ndjekin rrugën që ai hap përpara.
Gjetja e të mbinatyrshmes tek era dhe deti
Edhe pse Christopher Nolan ka realizuar disa nga produksionet më të mëdha të dekadave të fundit, “The Odyssey” është filmi i parë ku ai përballet drejtpërdrejt me elemente mbinatyrore. Që në fazën e parë të përgatitjeve, skenari iu dorëzua ekipit të efekteve speciale.
“Kur lexon një skenar të Chrisit, mënyra si përgatitesh është krejt ndryshe nga çdo film tjetër”, thotë mbikëqyrësi i efekteve speciale Scott R. Fisher.
“Në shumicën e filmave mendon menjëherë: ‘Kjo do të bëhet me CGI’. Me Chrisin e dimë që ai do të kërkojë fillimisht një zgjidhje reale. Ai dëshiron diçka që ekziston fizikisht para kamerës dhe mbi të cilën mund të ndërtohen më pas efektet digjitale”.
Për këtë arsye, Fisher bashkëpunoi ngushtë me mbikëqyrësin e efekteve vizuale, Andrew Jackson. Për krijimin e Ciklopit, të interpretuar nga aktori Bill Irwin, ekipi përdori kukulla në përmasa të ndryshme, animatronikë dhe grafikë kompjuterike. Megjithatë, çdo element u bazua mbi interpretimin dhe lëvizjet reale të Irwinit.
Edhe pse personazhi shfaqet vetëm në një skenë, aktori ishte i pranishëm gjatë gjithë procesit të realizimit të saj. Rezultati nuk ishte vetëm një krijesë bindëse, por edhe çuditërisht njerëzore dhe prekëse, në harmoni me tonin njerëzor të filmit. Për të krijuar vorbullën e Karibdës, nga e cila Odiseu duhet të shpëtojë njerëzit e tij, ekipi u frymëzua nga mënyra se si anijet e mëdha krijojnë zhvendosjen e ujit kur largohen nga portet.
Me motobarka të fuqishme krijuan rrathë të mëdhenj dallgësh dhe turbulencash që ngjanin me skajet e një vorbulle gjigante.
“Ishte një zgjidhje tipike e stilit të Christopher Nolanit”, thotë Andrew Jackson. “Pasi hiqnim motobarkat nga kuadri, efekti ishte tashmë aty, i filmuar realisht, dhe aktorët kishin diçka konkrete ndaj së cilës mund të reagonin”.
Vetëm qendra e vorbullës u realizua me efekte kompjuterike. Në disa raste, aleati më i rëndësishëm i ekipit ishte vetë natyra.
“Nuk mund të dalësh për të xhiruar në një stuhi të vërtetë. Por mund të dalësh kur stuhia është pranë”, thotë Fisher.
Ekipi përballej me erëra të forta, ndërsa anije zjarrfikëse godisnin anijen kryesore me sasi të mëdha uji për të krijuar efektin e dallgëve gjigante.
“Të punosh me forcat e natyrës është jashtëzakonisht sfiduese”, thotë Nolan. “Duhej të përballeshe me sfida të mëdha logjistike. Gjithçka bëhej në mënyrë të sigurt, me anije mbështetëse pranë, por disa nga ditët në det, mes dallgëve të fuqishme, ishin ndër më të vështirat për gjithë pjesëtarët e ekipit”.
Sepse, sipas tij, nëse do të xhironin në kulmin e verës, me det të qetë dhe qiell të kthjellët, do të humbnin atë që filmi kishte më shumë nevojë: “Dramën. Praninë e Posejdonit. Dhe ndjenjën se ekuipazhi i Odiseut është vazhdimisht nën kërcënim”.
Ngritja në ajër e kamerës gjigante IMAX me zë shumë të lartë
Në filmat e tij të fundit, Christopher Nolan është bërë një nga pionierët e përdorimit të kamerave IMAX. Por “The Odyssey” është filmi i parë i tij që është xhiruar plotësisht në këtë format. Deri më tani, përdorimi i kamerave IMAX kishte një pengesë të madhe: zhurmën.
Për shkak se këto kamera tërheqin me shpejtësi shumë të lartë shirita të mëdhenj filmi, ato prodhojnë një zhurmë të vazhdueshme. Siç e përshkruan drejtori i fotografisë, Hoyte van Hoytema, ato tingëllojnë “si një motor i vogël me naftë”.
Për vite me radhë janë bërë përpjekje për të izoluar zhurmën në këto kamera, duke i futur në mbështjellëse të posaçme akustike, të njohura si “blimp”.
“Për filmin ‘Tenet’ ndërtuam një sistem të tërë izolues”, kujton Van Hoytema. “Vetëm pasi e provuam, kuptuam se nuk eliminonte zhurmën në nivelin që na duhej”.
Për “The Odyssey”, ai dhe inxhinierët e IMAX-it vendosën të ndryshonin krejtësisht qasjen. Në vend që të krijonin një kamerë të lehtë dhe praktike për përdorim, ata ndërtuan atë që Van Hoytema e quan “një kuti gjigante dhe tepër të ngathët”. Brenda saj vendosën shtresa të alternuara materialesh shumë të buta dhe shumë të forta, të renditura me kujdes për të përthithur sa më shumë zhurmën. Vetëm pasi e zgjidhën këtë problem, nisën të mendonin për detajet praktike.
Në fund, produksioni përdori disa versione të kamerave IMAX.
Për skenat dinamike u përdorën edhe kamera pa izolim akustik, të cilat mund të mbaheshin në dorë ose të përdoreshin në skena ku nuk incizohej dialogu. Por kamera e re, gjigante dhe jashtëzakonisht e rëndë, ndryshoi mënyrën se si punonte i gjithë ekipi.
“Sapo e sillnim në sheshxhirim, kuptonim se duheshin tre ose katër veta vetëm për ta mbajtur”, thotë Van Hoytema.
Edhe një lëvizje e thjeshtë lart-poshtë ose majtas-djathtas kërkonte disa asistentë kamerash që të mos lejonin pajisjen të rrëzohej. Madje kamera kishte edhe grepa metalikë të pazakontë. E arsyeja ishte: “Sepse në disa raste e ngrinim me helikopter dhe e transportonim pezull, mbi male, deri në vendin e xhirimit”.
Përmasat e kamerës krijuan edhe një problem tjetër. Në skenat me dialog, aktorët shpesh nuk mund ta shihnin njëri-tjetrin gjatë planeve të afërta, sepse kamera zinte të gjithë hapësirën mes tyre. Për ta zgjidhur këtë, Nolan e projektoi një sistem pasqyrash. Aktori që po filmohej mund ta shihte partnerin e skenës të reflektuar në pasqyrë, duke ruajtur kontaktin me sy.
Matt Damon thotë se efekti ishte befasues.
“Kishte diçka shumë të çuditshme që i ndodhte trurit. Nëse Anne Hathaway ulej pranë kamerës, shikonte drejt një pasqyre që reflektohej në një tjetër pranë objektivit, ndërsa unë e dëgjoja të merrte frymë dhe të fliste, ndihesha sikur ajo ishte pikërisht përballë meje. Edhe sot, kur i kujtoj ato skena, më duket sikur po e shikoja drejt në sy. Në të vërtetë, po shikoja vetëm një pasqyrë”.
Shqipëria në kolonën zanore të “The Odyssey”
Christopher Nolan nuk njihet për kolona zanore minimaliste. Përkundrazi, filmat e tij janë të famshëm për përdorimin intensiv të muzikës, aq sa në filma si “Dunkirk” apo “Oppenheimer”, momentet kur muzika ndalet, bëhen menjëherë të ndjeshme për publikun.
Në shikim të parë, “The Odyssey” mund të duket sikur ka më pak muzikë. Kompozitori Ludwig Göransson thotë se kjo është vetëm një përshtypje. Në fakt, muzika është gjithmonë aty, por e ndërtuar ndryshe.
Për t’iu përshtatur botës fizike dhe elementare të filmit, Nolan dëshironte një kolonë zanore që të dukej sikur buronte nga vetë Epoka e Bronzit, larg orkestrimeve madhështore që zakonisht shoqërojnë filmat historikë.
“Nuk po bëj një film në stilin e Hollywoodit të viteve ‘50”, kujton Nolan se i kishte thënë Göranssonit. “Nëse nuk po ndjekim atë traditë, atëherë nuk ka kuptim të mbështetemi te një orkestër klasike. Prandaj pyetja ishte: çfarë mund të krijojmë në vend të saj?”.
Për shembull, Nolan imagjinoi një sistem alarmi për Trojën me qytetarët e saj që përplasnin fletë të mëdha metali, të cilat do të bëheshin më të forta ndërsa ushtria greke afrohej gjithnjë e më shumë.
Ai tingull u shndërrua në një motiv muzikor që rikthehet gjatë gjithë filmit.
“Kakofonia e atyre zhurmave gradualisht shndërrohet në një temë muzikore që tingëllon si një vajtim”, shpjegon Göransson.
Në të njëjtën mënyrë, ai përdori lyrën për të krijuar tingullin karakteristik të tendosjes së harkut.
Ky motiv lidhet vazhdimisht me Odiseun, mjeshtrin e harkut dhe të shigjetës. Ashtu si tingujt metalikë të Trojës, notat e rralla të lyrës lëkunden vazhdimisht mes muzikës dhe tingujve të ambientit, aq sa shpesh bëhet e vështirë të dallosh se ku përfundon njëra dhe ku fillon tjetra.
Për Göranssonin, ishte e rëndësishme që çdo instrument të luhej në mënyrën autentike, siç është përdorur në lashtësi.
“Në shumicën e rasteve, kur njerëzit mendojnë se po dëgjojnë një lyrë, në fakt dëgjojnë një harpë. Unë doja të gjeja muzikantë që e luajnë instrumentin ashtu siç është luajtur dikur: me plektron në dorën e djathtë dhe me gishtat e dorës së majtë mbi tela”.
Ai gjeti gjithashtu një muzikant që interpretonte aulos, një instrument frymor me dy kallama, i ngjashëm me oboan, shumë i përhapur në botën antike për shekuj me radhë, por që më vonë u zhduk.
Kërkimet e tij e sollën edhe në jug të Shqipërisë. Aty incizoi një stil të lashtë këndimi i quajtur iso-polifoni shqiptare, një traditë shumë shekullore e këngës polifonike, të cilën, sipas tij, nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në një film.
Në Shqipëri ai incizoi edhe tingujt e fyejve që barinjtë shqiptarë i kanë përdorur prej mijëra vjetësh.
“Duhej t’i përfundonim incizimet deri në orën gjashtë të mbrëmjes, sepse ata zgjoheshin në katër të mëngjesit për t’u kujdesur për kopenë”.
Në fund të fundit, pjesa më e madhe e muzikës për filmin “The Odyssey” lind natyrshëm nga tingujt e vetë botës ku zhvillohet historia. Era, uji, metali, instrumentet e lashta dhe zërat njerëzorë bashkohen gradualisht, derisa shndërrohen në muzikë.
“Të jep ndjesinë e erës”, thotë Göransson. “Të jep ndjesinë e vetë natyrës”.
Dhe ndoshta ky është përshkrimi më i mirë jo vetëm për kolonën zanore, por edhe për vetë filmin.
Marrë nga “New York Magazine” dhe “Vulture”. Titulli është i Redaksisë. Përktheu: Edona Binaku
Nga: Bilge Ebiri
Përktheu: Edona Binaku
Koha.net
KOHA JONË SONDAZH

