Nga Shushica nis buxhetimi me pjesëmarrje, Llatja: Zëri i qytetarëve përcakton prioritetet për vitin 2027
Nga Shushica kanë nisur dëgjesat me qytetarët për hartimin e Buxhetit të Bashkisë Elbasan për vitin 2027. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar takimin e parë me banorët e kësaj njësie, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të përcaktimit të prioriteteve dhe investimeve për vitin e ardhshëm.
Gjatë takimit, banorët kanë paraqitur problematikat, nevojat dhe kërkesat e tyre, ndërsa është diskutuar mbi ndërhyrjet dhe investimet që konsiderohen më të rëndësishme për zonën.
“Buxheti i vitit të ardhshëm do të pasqyrojë nevojat reale të qytetarëve dhe të territorit”, është shprehur Llatja, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në hartimin e buxhetit.
Në vijim, dëgjesat do të zhvillohen në çdo rajon të qytetit dhe në njësitë administrative të Bashkisë Elbasan, ku qytetarët do të kenë mundësinë të propozojnë prioritetet dhe investimet që kërkojnë për komunitetet e tyre.
Buxhetimi me Pjesëmarrje synon që vendimmarrja për investimet publike të jetë sa më pranë nevojave të qytetarëve, duke i kthyer propozimet e komunitetit në prioritete dhe ndërhyrje konkrete.
Nga zëri i qytetarëve te prioritetet dhe investimet konkrete për Elbasanin, Bashkia vijon procesin e dëgjesave për Buxhetin 2027.

