Ngritja dhe rënia e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Kush e ka radhën pas tij?

Ish-zyrtari i lartë në tri qeveritë Rama po hetohet për katër vepra penale: mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë; korrupsion pasiv; pastrim parash dhe shpërdorim detyre, kjo e fundit lidhur me koncesionin e dhënë prej tij për inceneratorin në Elbasan. Ish- kryeministri Ahmetaj i ka hedhur poshtë akuzat e SPAK-ut dhe ka këmbëngulur që nuk është i përfshirë “në asnjë rrethanë në aferën e inceneratorit në Elbasan”. Dosja penale e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj shihet si test për SPAK-unlidhur me ndëshkimin ose jo të korrupsionit të politikanëve të lartë.

Afera i inceneratorëve – mega korrupsion

Afera e inceneratorëve për trajtimin e mbetjeve përbën, sipas hetimeve, një nga rastet më të rënda të korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike në Shqipëri. Ndërtimit të inceneratorëve iu hap rruga në dhjetor 2014, kur qeveria Rama bëri një ndryshim në strategjinë kombëtare të trajtimit të mbetjeve, të hartuar sipas direktivave të Bashkimit Evropian, të cilat i jepnin prioritet riciklimit të mbetjeve për të mbrojtur mjedisin dhe jo asgjësimit të tyre përmes djegies. Ndryshimi u pasua me hapa ligjorë për të ndërtuar në Shqipëri impiante ku mbetjet të trajtoheshin përmes djegies dhe nga djegia të përftohej energji elektrike.

Një vit më pas, qeveria Rama nënshkroi kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në tri qytete: Elbasan, Fier dhe Tiranë, me financim përmes Partneritetit Privat-Publik, (PPP) me një investim fillestar prej 178 milionë eurosh.

Kompanitë private që fituan për të qënë pjesë e PPP rezultuan të jenë kompani të vogla, të regjistruara off-shore, me pronarë të panjohur, që morën fondet publike dhe nuk dhanë atë që kishin premtuar: djegien e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë elektrike. Premtimet mbetën në letër, në kontratat koncesionare. Fondet publike vijuan të lëvrohen tek drejtuesit e kompanive off-shore që u arratisën kur plasi skandali dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia.

Shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike

Skandali plasi kur PD, më e madhja në opozitë në Shqipëri dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ( sot “Partia e Lirisë”në opozitë ) bënë një kallzim penal në SPAK ku akuzuan zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike në ndërtimin dhe funksionimin e inceneratorëve.

SPAK-u nisi hetimet në fillim të vitit 2021 dhe në dhjetor ato rezultuan me arrestimin dhe burgimin e Lefter Kokës, ish-ministër i Mjedisit në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Rama, 2013-2017. Ish-ministri Koka u akuzua për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash në dy inceneratorët, në atë të Elbasanit dhe Fierit. Bashkë me ish-ministrin Koka u arrestuan me burg ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, dhe  nëntë punonjës publikë, të akuzuar për korrupsion.

Një komision hetimor parlamentar i ngritur për aferën e inceneratorëve dhe i drejtuar nga PD, doli në përfundime të kundërta: për deputetët socialistë ndërtimi i tre impianteve të menaxhimit të mbetjeve ishte në përputhje me ligjin. Për opozitën qeveria Rama kishte kryer pastrim parash, përmes procedurash korruptive duke u sjellë financave publike një dëm prej 430 milionë eurosh.

Dy vjet më pas, në shkurt të këtij viti, SPAK-u nisi hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj. Ato u fokusuan së pari në procedurën e dhënies prej tij të koncesionit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan, kur ai ishte ministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të Tregëtisë dhe Sipërmarrjes. Dhënia e koncesionit ishte bërë pa shpallje tenderi dhe në kundërshtim me ligjin.

Akuzat e tjera ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj janë për korrupsion dhe pastrim parash, mosdeklarim apo fshehje të pasurisë dhe përfitime korruptive nga inceneratorët.

Në fillim të këtij muaji, SPAK administroi të gjithë dokumentacionin e 8 pasurive të paluajtshme dhe më pas vendosi sekuestro parandaluese për dy vila në bregdet të personave të lidhur me ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj.

Ngritja dhe rënia e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj

Arben Ahmetaj është politikani socialist më jetëgjatë në tri mandatet e qeverisjes së kryeministrit Rama. Ai ka pasur poste të ndryshme ministrore në dy mandatet e para dhe në mandatin e tretë mori postin e zëvendëskryeministrit, që e mbajti vetëm 11 muaj, nga shtatori 2021, në korrik 2022, kur u shkarkua papritur nga kryeministri Rama.

Zhvillimet që pasuan vërtetuan dyshimet që shkarkimi i tij kishte ndodhur ndofta për shkak të përfshirjes në aferën e inceneratorëve. Kur SPAK-u publikoi zyrtarisht akuzat ndaj zëvendëskryeministrit Ahmetaj, kryeministri Rama që e pati bashkëpunëtor të afërt në qeverisjet e tij deklaroi që “nëse ato janë të vërteta ai, nuk e ndihmon dot”.

“Nëse ka shkelur ligjin, do të përgjigjet para ligjit,” deklaroi Rama për mediat.

Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj po hetohet në gjendje të lirë. Ai vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste. Analistë të pavarur të Tiranës parashikojnë mundësinë e arrestimit të tij vetëm nëse SPAK-u do t’i kërkojë parlamentit një autorizim të thjeshtë, ngaqë me ndryshimet ligjore konsensuale mes maxhorances socialiste dhe opozitës, deputetët nuk gëzojnë imunitet para drejtësisë.

A po i vjen fundi i mosndëshkimit në nivele të larta?

Shoqëria civile është skeptike. Në një protestë para selisë së SPAK-ut, të organizuar në mes të kësaj jave (29.03) nga Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile, protestuesit i kërkuan SPAK-ut të bëjë drejtësi kundër korrupsionit, “të hetojë, zbulojë dhe ndëshkojë krimet e krerëve të lartë të politikës dhe drejtësisë në 30 vite demokraci, politikanët që kanë vjedhur pasurinë publike dhe t’u konfiskojë pasuritë e marra në rrugë korruptive,”

Nëse ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Ahmetaj, do të merret masa e arrestit me burg, ai do të jetë ish-politikani i tretë i lartë në qeverisjet socialiste të kryeministrit Rama, pas ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka, të cilit i jepet një dënim i tillë. Në vitin 2021 ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u dënua me dy vjet burg për korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë.

Kulturë e betonizuar mosndëshkimi

Pritshmëritë e qytetarëve të Shqipërisë ndaj SPAK për të shkallmuar kulturën e betonizuar të mosndëshkimit të zyrtarëve janë të larta. Po kështu edhe ato të BE, që ka hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në një intervistë ekskluzive për DW, kryetarja e Delegaconit të BE në Shqipëri, ambasadorja Christianne Hohmann i bëri thirrje SPAK, “të trajtojë efektivisht korrupsionin në nivel të lartë.”/DW/

SHKARKO APP