Nis rehabilitimi i fushave sportive te Liqeni, Veliaj: Mundësi argëtimi edhe për të rinjtë

TIRANE– Pas ndërtimit të Parkut të Lojërave për fëmijë, Parku i Liqenit Artificial në Tiranë do të ofrojë edhe hapësira argëtimi për të rinjtë. Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ka nisur rehabilitimin e tre fushave sportive, të cilat do kthehen në një destinacion interesant për të rinjtë e apasionuar veçanërisht pas futbollit, basketbollit, volejbollit dhe regbisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se pas ndërtimit të këndit të lodrave për fëmijë, ky është një tjetër investim i rëndësishëm, i cili i jep edhe më shumë jetë parkut, por krijon mundësi argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Jam shumë entuziast që po vijojmë me një tjetër investim të rëndësishëm në parkun e Tiranës, pjesë e masterplanit tonë. Siç e dini, përfunduam me sukses këndin e lojërave, i cili sot është ndoshta investimi që ka pasur më shumë duk në Bashkinë e Tiranës. Kush është prind dhe ka fëmijë, më jep të drejtë, por besoj se edhe gjyshet e gjyshërit, që e kanë parë çfarë suksesi ka pasur këndi i lojërave, bien dakord se e kemi kthyer në funksion real për qytetin të gjithë hapësirën e parkut të Liqenit. Fundjavat janë plot, po ashtu edhe gjatë orëve të ditës, ndaj besoj se rehabilitimi i fushave sportive për të rinjtë dhe adoleshentët e plotësojnë ofertën që Bashkia e Tiranës ka për rekreacionin, argëtimin dhe kohën e lirë në qytetin tonë”, tha Veliaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas kryebashkiakut, këto fusha do t’i japin mundësi të rinjve të praktikojnë edhe sporte të tjera, përveç atyre tradicionaleve. Veliaj tha se synimi i këtij projekti është që parku të jetë i frekuentuar jo vetëm gjatë ditës, por edhe natës, pasi fushat do të jenë të pajisura me ndriçim.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Do të kemi mundësi që për herë të parë të akomodojmë edhe disa sporte të tjera, si regbi. Për të gjithë të apasionuarit pas futbollit, regbisë, basketbollit e volejbollit do të kenë po këto fusha, por të sistemuara, të ndriçuara, të përdorshme 24 orë në 7 ditët e javës, për t’u siguruar që Tirana është një qytet që fokusohet te sporti dhe shëndeti”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës.

Ai tha se ky projekt pritet të përfundojë brenda pak ditëve dhe do të jetë një dhuratë që Bashkia e Tiranës i bën të gjithë të rinjve të qytetit.

Sipas tij, “është e provuar tashmë se çdo investim që bëhet në sporte apo në projekte, që sjellin aktivitet fizik për qytetarët, është njëkohësisht edhe investim në shëndetësi”.

“Çdo qindarkë që investojmë në sport dhe argëtimin në natyrë, është një qindarkë e kursyer në shëndetësi, ilaçe dhe spitale. Dua të ftoj të gjithë qytetarët që të ecin më shumë, të pedalojnë, të vrapojnë në park, të luajnë më shumë. Sot, parku i Tiranës është një ndër historitë tona më të suksesshme, është një vend ku ka klube taekuondo, joga, klube të çiklizmit, kanoe, klube të mountanin-bike, të vrapimit e maratonave, regbi, futboll, volejboll e basketboll, ndaj i ftoj qytetarët që teksa bëjmë investime për një jetë të shëndetshme, të marrin vendime të shëndetshme për vitin 2017! Mezi pres që ta rendisim Tiranën, jo vetëm në qytetin më të pastër, por edhe më të shëndetshëm në rajon”, u shpreh Veliaj.

Projekti i Bashkisë së Tiranës parashikon rehabilitimin e tre fushave sportive ekzistuese për lloje të ndryshme sporti: një futbolli, një basketbolli, dhe një vollejbolli

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?