Një “peshk” i madh po bëhet gati nga SPAK për pronat e ushtrisë

SPAK-u ka hapur hetime të rëndësishme për pronat e ushtrisë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrën më kriminale nga pushtetarë dhe ish-pushtetarë.

Në këtë dosje hetimi janë emra VIP nga politika si nga radhët e PS ashtu edhe të PD, të cilët kanë firmosur në tjetërsimin e pronave të ushtrisë.

Më 11 mars Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për vënien nën sekuestro preventive të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës. Shoqëria, sipas publikimeve në faqen e Concord Investment, parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësnë për ankorim, për 400 anije.

Sipas vendimit të Gjykatës, vlerësohet “i drejtë parashtrimi i prokurorit se duhet të ndërpritet kryerja e investimit në fushën e turizmit, apo dhe ndërtime të tjera nga investitori, mbi pronën 696 (Baza Ndihmëse, Limion), për arsye se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private”.

Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përjithshëm të Forcave të armatosura.

SPAK-u po vazhdon me insistim të madh duke pyetur dhe mbushur dosjen në fjalë.

Sot, SPAK, ka thërritur prapë Artur Meçollarin, ish-komandant i forcave detare të Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, është vënë në lëvizje nga dy kallëzime penale të bëra në mars dhe prill të vitit të 2021 nga Artur Meçollari, ish-drejtues i lartë i Forcës Detare.

Në to përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake.

Meçollari i akuzon ata, se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes, siç njihen zonat ku janë të dislokuara forcat detare. (Këto prona janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare) Çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. Meçollari, në dy kallëzimet e tij, thotë se ndryshimet në plan janë bërë pa marrë miratimin e Presidentit.

Deri tani janë paraqitur ministrja Xhaçka, deputeti i PS, Bardhyl Kollçaku, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë,etj.

Mësohet nga burime brenda SPAK se do ti niset fletë thirrja për të dëshmuar edhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, pasi ka qenë ish-shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë.

Të njëjtat burime thanë se prokurorët e SPAK do kërkojnë për të dëshmuar edhe dy oligarkët që morën bazën detare të Limionit në Jug të vendit.

Pak ditë më parë, Baza e Limionit është vënë nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme. Meçollari ka bërë dhe një kallëzim për bazën detare të Shëngjinit ku sipas tij është lejuar ndërtim nga një subjekt privat.

Kjo dosje do të sjellë arrestime VIP. Kjo duket nga shqetsimet e forta në mazhorancë, por edhe në institucione të tjera kushtetuese.

SHKARKO APP