Nuk ka të ndalur/ Kapet 1 ton drogë në Tiranë, 6 të arrestuar
Një sasi droge prej rreth 1 ton kanabis është sekuestruar nga Policia e Tiranës dhe 6 persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Befasia”. Ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Ardi Veliu gjatë një deklaratë për shtyp.
Në aksionin e parë, që u zhvillua në rrugën “Unaza e Re”, policia bëri arrestimin e katër personave që nuk iu bindën thirrjes së policisë për të ndaluar automjetin, në brendësi të të cilit ishte fshehur sasia e lëndës narkotike, në sediljen e pasme dhe në bagazh. Policia i ndoqi nga pas deri në momentin që humbën kontrollin e mjetit dhe u neutralizuan.
“Gjatë operacionit “Befasia” janë arrestuar në flagrancë shtetasit Fatjon Mesi, Ilir Ferati, Izmir Muja, Saimir Grosha dhe shtetasi me inicialet A.Ç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike”, tha zëdhënësi Ardi Veliu.
Ndërsa në zonën e Rinasit u arrestuan burrë e grua, pasi në katin e dytë të banesës së tyre u gjetën 170 thasë me hashash, gati për shitje. “Në operacionin e koduar “Papafingo” u arrestuan Hasan Sula (50 vjeç) dhe Merita Sula (45 vjeç), bashkëshortja e tij”, deklaroi Veliu.
Policia po vijon punën për gjetjen dhe kapjen e 3 personave të tjerë të shpallur në kërkim.

