”Nuk mund të jepen fonde kur Parlamenti është i bllokuar”, Burimi: Janë në kurth, Rama do të tërhiqet
Analisti Genc Burimi, thotë se çështja e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, së shpejti do të ketë një ndërmjetësim nga ndërkombëtarët, për të cilët nuk qëndron më argumenti i “non-gratës” së Berishës, pasi Gazment Bardhi është pjesë e grupimit të tij po ashtu. Burimi tha më tej se mazhoranca tani është në kurth pasi pamjet e fundit të parlamentit janë një imazh i keq për Evropën, dhe se Rama do të tërhiqet për komisionet hetimore përfundimisht.
”Jemi fill pas publikimit të dhimbshëm për mazhorancën lidhur me zgjedhjet e 14 majit nga OSBE. Ka një lumë kritikash nga OSBE që duhen adresuar përmes një reforme zgjedhore. Deri tani u tha që ndërkombëtarët nuk flisnin me non-gratat, por Gazment Bardhi është aty dhe ky argument nuk qëndron më.
35 deputetë kanë të drejtë për të ngritur komisione hetimore sot. Janë nxjerrë firmat dhe nuk thirret komisioni. Bardhi tha sot se u ka dërguar letër ambasadorëve, do ketë një ndërmjetësim me ndërkombëtarët. Nuk mund të jepen fonde për Shqipërinë kur parlamenti është i bllokuar. Duhet një rikthim në jetën normale parlamentare, më pas opozita mund të kalojë te hapat e tjerë.
Mazhoranca i pengon këto komisione hetimore, pasi po abuzohet nga heshtja e perëndimorëve. Ajka e kontinentit evropian erdhi 2 herë në Tiranë dhe asnjëherë këta evropianë nuk bënë asnjë kritikë. Rama e përktheu që këta nuk pyesin non-gratën, por evropianët nuk mund ta lejojnë që ai të mos respektojë jetën parlamentare. Parlamenti do çojë sinjale negative në Evropë në një moment që Evropa nuk ka nevojë për këto budallallëqe. Mazhoranca është në kurth tani. Rama ka për t’u tërhequr, unë jam gati të vendos bast, sepse e drejta nuk është me të. Këto pamje nga parlamenti janë një kosto për Ramën”, u shpreh ai.