Opozita greke i kërkon llogari Qeverisë: Çfarë u vendos për Çamërinë?
Partia më e madhe opozitare greke, Demokracia e Re, ka reaguar pas përfundimit të takimit Kotzias-Bushati në Kretë dhe publikimit të deklaratës së përbashkët.
Deklaratën në fjalë, Demokracia e Re e konsideron si “të paqartë dhe me fjalë të përgjithshme”, pasi “nuk përmendet asnjë rezultat konkret”.
Me anë të një deklarate për shtyp mbrëmjen e të dielës, partia më e madhe opozitare kërkon të dijë nëse Ministria e Jashtme greke “ka pranuar të diskutohet çështja inekzistente çame, që me këmbëngulje e shtron pala shqiptare”.
Për Demokracinë e Re, çështjet që përfshihen në paketën që u diskutua gjatë bisedimeve, janë të ndryshme për nga natyra juridike dhe politike.
“Marrëveshja për delimitimin e kufirit detar, të drejtat e minoritetit, varrezat e ushtarëve grekë, përmbajtja e teksteve shkollore, etj apo trajtohen këto çështje si të lidhura me njera=tjetrën nga ana e Ministrisë së Jashtme greke? A ndikon procesi në njerën çështje në ecurinë e tjetrës dhe si”, pyet Demokracia e Re.
“Meqenëse këto çështje janë shumë serioze dhe kritike, presim përgjigje të përgjegjshme nga Ministria e Jashtme”, përfundon deklarata e partisë më të madhe opozitare greke.

