“Opozita më befasoi”, Rama: Opozita bashkohet për integrimin, negociatat me BE drejt lajmit të ri pozitiv

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është gjithnjë e më pranë nisjes së fazës së mbylljes së negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit.

Sipas tij, një nga zhvillimet më domethënëse së fundmi ka qenë konsensusi i arritur në Kuvend mes shumicës dhe opozitës për rezolutën që mbështet procesin e anëtarësimit në BE. Rama e vlerësoi këtë bashkim si një sinjal pozitiv që tregon se nuk ekzistojnë pengesa politike për vijimin e procesit dhe dorëzimin e raporteve përkatëse në fazat e ardhshme.

Ai u shpreh se ky bashkëpunim, edhe pse i papritur, është i mirëpritur dhe dëshmon sipas tij se procesi i integrimit europian është i pandalshëm. Kryeministri theksoi gjithashtu se së shpejti priten lajme të reja pozitive lidhur me hapjen e kapitujve të tjerë negociues dhe kalimin në një fazë më të avancuar të bisedimeve me BE-në.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në përmbledhjen e zhvillimeve të javës, Rama veçoi edhe vizitat e tij në Gjermani dhe Estoni, të cilat i lidhi me forcimin e orientimit europian të Shqipërisë dhe rolin e saj në sigurinë euroatlantike. Ai përmendi si arritje edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një hap strategjik për rritjen e kapaciteteve të vendit në fushën e sigurisë digjitale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas kryeministrit, progresi i Shqipërisë është i dukshëm edhe në fushën e prokurimeve publike, ku vendi renditet i pari në rajon dhe në disa tregues i afrohet apo e tejkalon mesataren e Bashkimit Europian. Ai theksoi se ky progres dhe transformimi institucional po përmirësojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Në përfundim, Rama u shpreh se objektivi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është i arritshëm dhe i bazuar në rezultatet aktuale të reformave dhe zhvillimeve të deritanishme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?