Orikum-Himarë koncension për Zamir Manen dhe një klanist?
Qeveria do të ofrojë rreth 1.2 miliard euro kontrata të partneritetit publik-privat për vitin e ardhshëm. Për herë të parë, Ministria e Financave ka bërë publike të plotë listën e veprave, pjesë e programit të rindërtimit, të cilat do të jepen me konçesion shkruan Top Channel online.
Në total janë 8 projekte të mëdha, pjesa dërrmuese e të cilave i përkasin infrastrukturës rrugore. Sipas listës, kontrata më e madhe është ndërtimi dhe operimi i rrugës Kashar-Rrogozhinë.
Sipas qeverisë, kjo vepër do të kushtojë 310 milionë euro dhe synimi është që të ndërtohet përmes fondeve private. Kontrata e dytë më e madhe që do të ofrohet me konçesion është ndërtimi dhe operimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë.
Sipas llogaritjeve paraprake, kjo vepër kushton rreth 257 milionë euro. Në vendin e tretë renditet një kontratë, thuajse e finalizuar tashmë, rruga e Arbrit. Sipas Ministrisë së Financave, ajo do të kushtojë rreth 180 milionë euro.

Tre projektet e tjera të infrastrukturës janë rruga Milot-Balldren, ajo Orikum-Himarë, të cilën burime nga brenda qeverisë thonë nën zë se kryeministri Rama ia ka premtuar t’ia jap miliarderit shqiptar Zamir Mane dhe një pronari mediash. Veç akseve rrugore, në listën e kontratave që do të ofrohen me konçesion është ndërtimi i një spitali rajonal në Fier me vlerë 72 milionë euro, si dhe konçesioni i ndërtimit të shkollave në Tiranë, që kushton rreth 48 milionë euro.
Lista e konçesioneve është publikuar në relacionin e projektbuxhetit të 2018-s. Këto vepra janë oferta e qeverisë për privatët, por jo domosdoshmërisht do të finalizohen, pasi kërkojnë kapitale të mëdha, ose për disa prej tyre mund të mos ketë interes nga sektori privat. Deri tani dy kontrata janë thuajse të finalizuara, ndërtimi i shkollave në Tiranë dhe rruga e Arbrit.
Mënyra se si kryeministri operon në koncensione, siç kemi parë në këto katër vite që shkuan, është se ai ua jep klaneve të biznesit afër tij. Me sa duket, mëgjithë hallet e shumta që i solli papritur ish-ministri i brendshëm dhe hetimit të një ministri tjetër, prapseprapë Edi Rama nuk heq dorë nga dhënia me koncension të gjithçkaje që dëgjon apo që i del përpara.
Por kryeministri ka një veti se vetë nuk firmos asnjëherë, por ua lë “kopilin” në derë ministrave për ti firmosur dhe me vonë, nëse hyjnë në burg, ai mbetet dorëjashtë.
Projekti për ti dhënë një koncension Zamir Manes u del nga detyrimi se ishte pikërisht ai që organizoi takimin e fshehtë të Vjenës mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, pa dijeninë e Ilir Metës. Por ngritja e SPAK-ut, një strukturë hetimore dhe arrestimesh pa mëshirë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar mund të çojë ndonjë ministër firmosës. Edhe Saimir Tahiri ishte ministër fuqiplotë pothuaj katër vite, por tashmë as në PS nuk e qasin më.
I pyetur nga folshqip.al Zamir Mane e mohoi. Por zakonisht sapo ai mohon jepen koncensionet dhe i vijnë të mirat, si nga qielli!
(marrë nga www.folshqip.al)
http://folshqip.al/rrugen-orikum-himare-qeveria-do-tia-jap-me-koncension-zamir-manes-dhe-nje-klanisti/

