Pagë e 13-të për administratën – Vendimi hyn në fuqi, shpërblim për disa kategori
Qeveria ka vendosur të japë pagë të 13-të për disa kategori punonjësish, vendimi i cili është marrë më 31 Dhjetor dhe që ka tashmë ka hyrë në fuqi për të mundësuar kalimin e shpërblimit.
Konkretisht, shpërblim do të marrin punonjësit në institucionet e rivlerësimit ku Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerët Publikë dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shpërblehen në masën e një page mujore bruto që përfshin pagën referuese bazë së bashku me shtesën për pagën në grup.
Këshilltarët ligjore dhe ekonomikë, sipas përkatësisë, shpërblehen në masën 80% të masës së shpërblimit. Nëpunësit e administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për pozicion.
Punonjësit e tjerë të administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për klasë.
Sipas vendimit, përfitues të shpërblimit në masën e një page mujore bruto janë punonjësit që kanë punuar jo më pak se 1 vit në institucion.
Për punonjësit që kanë punuar jo më pak se 3 muaj në institucion, shpërblimi do të jetë i barabartë më gjysmën e pagës mujore bruto.
Efekti financiar i këtij vendimi përballohet nga fondi i veçantë i papërdorur nga ministritë dhe institucionet qendrore, për vitin 2018.