Pandeli Majko lobon për votën e emigrantëve
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka depozituar pranë çdo anëtari të Komisionit të Reformës Elektorale informacionin dhe opinionin për të drejtën e votimit të emigrantëve.
“Për çështjet e emigracionit dhe diasporës do të bashkëpunohet sidomos me shtetet fqinje. Do të ishte ironike që organizimi i shqiptarëve në diasporë të ndahej me kufijtë e shteteve ku ata jetojnë dhe nga vinë.
E drejta e votës është një kërkesë që vjen nga qendrat më të organizura të emigracionit shqiptar në Greqi, Itali, Britani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Kanada e deri në Australi.
Nga politika shqiptare janë bërë pohime të qëndrueshme për ta realizuar këtë kërkesë. Përgjegjësia qytetare e njerëzve tanë në emigracion karshi të ardhmes së vendit është shprehur edhe duke ardhur nga larg për të marrë pjesë në votimet elektorale.
Ata kanë treguar se janë shprehje e patriotizmit dhe përgjegjësisë për vendin e vet. Pa komplimenta, ata e kanë të merituar detyrimin e politikës për ti dhënë fund kësaj rraskapitjeje dhe distancimi shtetëror për të drejtën e votës së emigrantëve”, tha Majko.

